Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës sot është njoftuar nga Ministria e Shëndetësisë se nuk do të vazhdojë me zbatimin e Kontratës Kolektive, e cila ishte nënshkruar në vitin 2018.
Vendimin për shkëputje të kësaj kontrate, Ministria e Shëndetësisë e ka justifikuar me skadimin e afatit të Kontratës Kolektive.
“Qeveria, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, përmes këtij njoftimi bën të ditur vullnetin për mos vazhdimin e implementimit të Kontratës Kolektive”, thuhet në njoftimin e MSh-së, drejtuar Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.
Në vendimin për shkëputjen e Kontratës Kolektive, të siguruar nga Indeksonline, po ashtu thuhet se Ministria e Shëndetësisë së shpejti do ta njoftojë sindikatën për një kontratë të re ndërsektoriale.
Ndryshe, Kontrata Kolektive përmbante disa benefite për punonjësit në sektorin e shëndetësisë.
Kjo kontratë rregullonte themelimin e marrëdhënies së punës, përmbajtjen e kontratës së punës, sistemimin e të punësuarve, orarin e punës, pushimet, stazhin e punës, mungesat në punë, rrezikshmërinë në vendin e punës.
Por, është ish ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, i cili ka reaguar ndaj këtij vendimi.
Zemaj ka thënë se profesionistët shëndetësorë janë goditur në kohë krize.
“Qeverisja me fall dëmton ata që janë në hall, profesionistët shëndetësorë dhe pacientët. Qeveria pa ministër të Shëndetësisë, i paska dhënë edhe një goditje të rëndë profesionistëve shëndetësorë; iu paska shkëputur Kontratën Kolektive, dhe atë krejt pabazë e në kohë krize”, ka shkruar Zemaj./Indeksonline/