Dobësi në kontrollet e brendshme financiare ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Komunën e Podujevës. Në raportin e saj vjetor, ZKA-ja ka gjetur keqklsifikim të shpenzimeve, mungesë të kontrolleve, regjistrim jo të plotë dhe raportim jo të drejtë të vlerësimit të pasurisë. Sipas Auditorit, Komuna e Podujevës ka paguar dhe regjistruar shpenzime në kategoritë ekonomike jo adekuate në vlerë prej 105 mijë e 248 euro.
“Nga kategoria ekonomike mallrat dhe shërbimet janë planifikuar dhe realizuar pagesa në vlerë 95,2480, prej të cilave 73,464€ ishin paguar për investime kapitale (Rregullimi infrastrukturës përcjellëse në QKMF, mirëmbajtja dhe rindërtimi kanalizimit fekal dhe atmosferik, meremetimi i rrugëve me zhavor), ndërsa 21,784€ ishin paguar për subvencione (shpenzime të varrimit)”, thuhet në raportin vjetor të ZKA-së.
Auditori ka vërejtur gjithashtu se nga kategoria ekonomike investime kapitale janë planifikuar dhe realizuar pagesa në vlerë prej 10 mijë eurosh, të cilat për nga natyra ishin mallra dhe shërbime.
Këto, sipas Auditorit, kishin ndodhur për shkak të planifikimit jo të mirë buxhetor dhe mungesës së mjeteve në kategoritë ekonomike adekuate.
Sa i përket mungesës së kontrolleve në përgatitjen e draft-pasqyrave financiare vjetore (PVF), Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se te neni 14- Raporti i ekzekutimit të buxhetit, pjesa hyrja e parasë së gatshme te shtylla e buxhetit fillestar, Komuna ka prezantuar në PFV vlerën 355 mijë e 314 euro ndërsa sipas Ligjit të Buxhetit ishte vlera 465 mijë e 314 euro.
“Te neni 14-Raporti i ekzekutimit të buxhetit – te pjesa hyrja e parasë së gatshme te shtylla buxhetit fillestar, shënimi 9 të hyrat jo tatimore, Komuna ka prezantuar në PFV vlerën 987,245€, ndërsa sipas ligjit të buxhetit ishte vlera 877,245€. Me rekomandim të auditorëve, PFV janë korrigjuar në afatin e paraparë. Kjo kishte ndodh për shkak të kontrolleve të brendshme jo të mjaftueshme dhe kujdesit të mangët të stafit përgjegjës në përgatitjen e PFV-ve”, thekson raporti.
Duke u bazuar në këtë dokument, Auditori ka vërejtur se Komuna e Podujevës ka pasur regjistrim jo të plotë të pasurive dhe raportim jo të drejtë të vletrësimit të pasurisë.
“Pagesa lidhur me memorandumin e bashkëpunimit për ndërtimin e qendrës së mjekësisë familjare, në vlerë 25,000€, nuk ishte regjistruar tek regjistri i pasurisë mbi 1000€; Në regjistrin e e-pasurisë në gjashtë raste, komuna nuk kishte regjistruar pasurinë në vlerë prej 33,348€; Po ashtu komuna kishte shpalosur në PFV vlerën e përcaktuar nga komisioni i vlerësimit në departamentin e QKMF në vlerë 381,320€, derisa vlera e përgjithshme e regjistrit të e-pasurisë tek departamenti në fjalë në fund të vitit 2021 ishte 209,494€”, thekson ZKA-ja.
Kjo, sipas Auditorit, ka ndodhur si pasojë e mungesës së koordinimit në mes të departamenteve.
Auditori ka gjetur edhe dobësi në menaxhimin e pasurisë në Komunën e Podujevës.
“Sipas nenit 19.4.3 të Rregullores MF-nr. 02/2013-për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore – Komisioni për Inventarizimin e Pasurive jo Financiare është përgjegjës për krahasimin e gjendjes të inventarizuar me gjendjen në regjistrat e pasurive jofinanciare dhe identifikimin e pasurisë që nuk ka vlerë të bartur; nenit 3 i rregullores përcakton se komisioni për Vlerësimin e Pasurisë jo Financiare – nënkupton Komisionin e formuar nga Zyrtari Kryesor Administrativ (ZKA) në organizatën buxhetore me qëllim të vlerësimit të pasurive jo financiare”, thuhet në raport.
“Neni 4.6-Zyrtari Kryesor Administrativ themelon Komisionin për Vlerësim të Pasurisë jo Financiare. Po ashtu, sipas nenit 4.1 Zyrtari Kryesor Administrativ është përgjegjës për aprovimin e rregullave dhe procedurave të brendshme për evidencën, ruajtjen dhe tjetërsimin e pasurisë jo financiare”.
Dokumenti thekson se kryetari kishte emëruar komisionin e inventarizimit i cili ka arritur të kryej inventarizimin e pasurisë jofinanciare për vitin 2021. Mirëpo, sipas ZKA-së, nuk ishte bërë krahasimi i gjendjes së inventarizuar me gjendjen në regjistrat e pasurive jo financiare, siç kërkohet me nenin 19.4.3 të Rregullores 02/2013 për menaxhimin e pasurive jo financiare dhe, rrjedhimisht, nuk dihet diferenca mes gjendjes së kontabilitetit dhe inventarizimit.
“Po ashtu, drejtori i QKMF-së kishte themeluar një komision për vlerësimin e e-pasurisë në QKMF krahas komisionit të vlerësimit i themeluar nga ZKA. Raporti i vlerësimit nuk ka paraqit vlerësimin sipas pozicioneve individuale të pasurisë së vlerësuar. Vlerat ishin vendosur në mënyrë komulative sipas reparteve të QKMF-së”, thekson raporti.
Sipas Auditori, Komuna nuk ka aprovuar rregulla dhe procedura të brendshme për ndarjen e drejtë të detyrave për regjistrimin dhe raportimin e pasurive, evidencën dhe ruajtjen e pasurive, ngarkimin e pasurive tek personat përgjegjës që do të kujdeseshin për pasuritë e ngarkuara apo edhe procedurën e inventarizimit dhe krahasimit.
“Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së njohurive nga ana komisionit mbi përgjegjësinë për harmonizimin e gjendjes së pasurisë pas realizimit të inventarizimit e pastaj edhe ngritjes së komisionit të vlerësimit nga ana e drejtorit te QKMF-së”, thuhet në raport.