SHSKUK-ja bleu barin 363 euro për njësi, edhe pse pranoi ofertën për 123 euro më lirë

Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës ka kontaktuar të paktën 600 njësi të barit Infliximab për 123 euro me shtrenjtë se çmimi i tyre.

Ky lloj bari që përdoret për trajtimin e disa sëmundjeve të komplikuara, në majin e vitit 2020 ishte kontraktuar me çmim 363 euro për copë.

Kontrata ishte dy vjeçare.

Tenderi është hapur sërish në prillin e vitit 2022 për furnizim me këtë bari. Nga dokumentet që posedon KOHA, në prill atij i ishte zbritur çmimi për 123 euro. Ofertat ishin hapur e institucioni e dinte se çmimi kishte zbritur.

Dy ditë pasi QKUK-ja e ka parë ofertën e kompanisë me të cilën e ka kontratën e vjetër, për barin me dozë të njëjtë e nga kompania prodhuese e njëjtë, ka bërë porosi për sasi shtesë, por me kontratë të vjetër, ani se oferta e re është më e lirë për 123 euro për njësi.

Dokumentet dëshmojnë se janë blerë të paktën 699 ampula infliximab për 123 euro me shtrenjtë se çmimi i tregut. Nga kjo blerje, buxheti i shëndetësisë publike u dëmtua me rreth 74 mijë euro.

KOHA e ka pyetur SHSKUK-në për këtë çështje. Fillimisht ky institucion nuk ka dhënë përgjigje konkrete.

“Çmimi i kontratës aktive për produktin infleksimab është: 239 € për njësi. Kontratat kornizë lejojnë që porositë të bëhen deri në +-30% të vlerës së kontratës”, thuhet nga SHSKUK.

Ndonëse Ligji i Prokurimit lejon që kontrata të shfrytëzohet deri në 30 për qind mbi vlerën e parashikuar, në këtë institucion nuk kanë sqaruar pse kanë zgjedhur të paguajnë për 123 euro me shtrenjtë për produktin e njëjtë.

“Porosia është bërë nga njësia kërkuese dhe është aprovuar nga Zyrtari Kryesor Administrativ”, thuhet nga SHSKUK.

KOHA sërish ka pyetur SHSKUK-në për arsyet e porosisë me çmim të shtrenjtë, në prag të lidhjes së kontratës së re më të lirë, por kanë munguar përgjigjet.

Qeveria Kurti pati premtuar që ligji i parë që do të kalonte për shëndetësi në vitin 2021 do të ishte ai për Nivelizimin e Çmimit të Barnave. Kjo nuk ka ndodhur deri tash, ani se 2022-s i ka mbetur vetëm edhe një muaj.