Mbrëmë mediat në Prishtinë raportuan për një aksident të ndodhur në Beograd, ku dyshohej se një person me prejardhje nga Podujeva, kishte mbetur i vdekur, derisa një grua mbeti e lënduar, pasi që thuhej se të dy po vinin nga Zvicra për në Kosovë.
Ky lajm mori dhenë në pothuajse të gjitha mediat e vendit dhe ato në diasporë.
Pre e kësaj informate, ranë edhe mediat e Shqipërise, ku disa prej tyre raportuan këtë rast, me një burim të një media kosovare.
Njësoj veproi edhe Llapi.info, ku pas raportimeve në shumicën e mediave, raportuam edhe ne.
Por, përgjatë gjithë ditës, Llapi.info, ka tentuar që të konfirmojë besueshmërinë e lajmit, duke kërkuar përgjigje zyrtare nga Policia e Kosovës – Stacioni në Podujevë, por edhe në zyren për media të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Fillimisht na u tha se edhe ata kanë marrë informacione të tilla për një kosovar të vdekur në një aksident në Beograd, por që nuk kanë arritur ta konfirmojnë nëpërmjet kanaleve zyrtare.
Për vërtetueshmërinë e informatës, u angazhuan edhe ekipet tjera të sigurisë, për të lidhë komunikim me institucionet e sigurisë në Serbi.
Për më shumë se 24 orë hulumtimi zyrtar, në fund u konfirmua se informata nuk ka qenë i saktë. Asnjë kosovar nuk ka vdekur gjatë ditës së djeshme në ndonjë aksident në Beograd, siç u konfirmua.
Dy burime të larta brenda Policisë së Kosovës (Njëra nga Drejtoria e Përgjithshme dhe tjetra në Stacionin e Podujevës), i kanë thënë Llapi.info, se tashmë është e sigurtë se nuk ka pasur viktima kosovar në asnjë aksident në Beograd.
Përkundër që lëshimet e tilla nuk na bëjnë nder, gjëja më e rëndësishme është fakti që nuk ka viktimë në atë aksident të raportuar. Aq më pak kur ishte raportuar se gjojase viktima ishte me prejardhje nga Podujeva, por që jeton në Zvicër (kështu thuhej në shkrimin nga “Indeksonline”, që raportuan të parët për këtë ‘lajm’).