Zëdhënësja e Presidencës Çeke në Bashkimin Evropian, Eva Hrncirova ka konfirmuar se çështja e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës do të rikthehet sot në rend të ditës në kuadër të diskutimeve në COREPER.
“Po, do të jetë në agjendën e COREPER”, ka thënë Hrncirova për Express.
Një rikthim i tillë i çështjes së vizave në agjendën e trupave brenda Këshillit Evropian vjen pasi fillimisht liberalizimi i vizave u hoq nga pikat e rendit të ditës si rezultat i situatës së krijuar në veri të Republikës së Kosovës.
Ai është hequr nga agjenda, për shkak të tensioneve në Kosovë që ka nxitur një vendim i Qeverisë së vendit për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe.
Ndërkohë, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.
Krahas tekstit për liberalizimin e vizave për Kosovën, Çekia ka bërë edhe një deklaratë, me të cilën vendeve anëtare të BE-së u kërkohet që të bëjnë çmos që sistemi ETIAS të jetë funksional në datën e caktuar, përkatësisht më 1 nëntor të vitit të ardhshëm.
ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.
Franca ka qenë shteti që ka këmbëngulur më së shumti që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën, të lidhet me funksionalizimin e ETIAS-it, duke thënë se ai është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së vendeve anëtare.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.
Sa më shpejt duhet të merret një vendim për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kështu është shprehur i dërguari i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzhej Frangesh.
Ai ka theksuar se shteti slloven ofron përkrahje pa asnjë kush për procesin e liberalizimit të vizave.
“Ne besojmë se ekziston një mundësi reale që njerëzit nga Kosova së shpejti të mund ta gëzojnë një regjim pa viza me BE-në. Sllovenia e mbështet këtë proces pa kushte, sepse e dimë se Kosova do të bëjë gjithçka që është e mundur për të adresuar shqetësimet e shteteve anëtare kur të zbatohet regjimi i ri”, ka pohuar Frangesh në Klan Kosova.
“Qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm. Një vendim politik duhet të merret para fundit të këtij viti dhe të zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë ai./Gazeta Express