Kica Xhelili: Çka ti themi familjarëve? Dështuam prap? Na falni? Ngushëllime? Për të satën herë? Edhe sa herë?

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili ka reaguar për vrasjen e gruas shtatzënë para oborrit të Gjinekologisë në Prishtinë.

Ajo thotë se “dështimi në parandalim të dhunës, për të qindtën herë, po na shpie në vrasje”.

“Çka ti themi familjarëve? Dështuam prap? Na falni? Ngushëllime? Për të satën herë? Edhe sa herë?”, shkruan ajo.

Postimi i plotë:

EDHE SA?!

Edhe sa gra duhet të vdesin që ta kuptojmë brutalitetin e mendësisë që shpërfaqim çdo ditë ndaj grave e vajzave tona? Peshën e gjuhës së urrejtjes, nënçmimit e denigrimit që i bëhet atyre? Peshën e lehtësisë me të cilën lloj lloj kafshe ka qasje në tastierë, telefon e rrjete sociale që të na moralizoj se si gratë kanë gjithmonë faj? Se si duhet të ketë pretekst pas çdo krimi, madje edhe femicidit.

Më falni për gjuhën, por vetpërmbajtja nuk është më opcion. Kjo situatë nuk është normale!

Për ironi, dje isha në premierë të dokumentarit ku gratë viktima të dhunës në familje tregonin për neglizhencën e institucioneve të drejtësisë. Dështimi në parandalim të dhunës, për të qindtën herë, po na shpie në vrasje.

Për ironi edhe më të poshtër, Rezoluta e propozuar para pak kohësh në Kuvend për disa kategori të veprave penale që lidhen me gratë, nuk kaloi. Ironi e poshtër, sepse ne jemi në gjendje të politizojmë gjithçka, të degradojmë gjithçka, të gjeneralizojmë gjithçka!

Çka ti themi familjarëve? Dështuam prap? Na falni? Ngushëllime? Për të satën herë? Edhe sa herë?