Kritikohet Komuna e Podujevës për moszgjedhjen e drejtorit të Qendrës për Punë Sociale

Prej tre vjetësh Qendra për Punë Sociale në Podujevë nuk ka drejtor. Ajo operon herë me ushtrues detyre të drejtorit e herë me të autorizuar të ushtruesit të detyrës.

Në shoqërinë civile kritikuan pushtetin lokal që e ka lënë në këtë gjendje qendrën, e cila merret me kategori të ndjeshme të shoqërisë.

“Duke e pasur parasysh edhe rëndësinë që ka kjo qendër, duke e ditur që merret me një kategori shumë të rëndësishme të shoqërisë, natyrisht që do të duhej të ketë një drejtor dhe punët të kryheshin shumë më mirë sesa tani”, ka theksuar drejtori ekzekutiv i Organizatës joqeveritare “Sundimi i demokracisë në Kosovë, Rexhep Zeka.

Ai ka theksuar se mungesa e drejtorit në Qendrën për Punë Sociale stagnon shumë punë që do të duhej të kryheshin në këtë institucion.

E, në Komunën e Podujevës folën vetëm për konkursin e fundit. Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Adelina Stublla, thotë se dy kandidatët ishin tërhequr nga konkursi për shkaqe objektive.

“Ka mbetur qe tre vjet pa drejtor për shkak se konkursi i mëhershëm që ka qenë, dy kandidatët që kanë qenë garues janë tërhequr prej gare, kështu që njëherë përnjëherë jemi me të autorizuar të drejtorit për punë sociale për t’i kryer punët dhe shërbimet brendapërbrenda këtij institucioni”, ka theksuar Stublla.