Reagon Ministria e Ekonomisë, kërkon nga minatorët që sa më parë t’i kthehen punës

Në ditën e katërt të grevës së minatorëve të Trepçës, ka reaguar Ministria e Ekonomisë. Në reagimin e tyre thuhet se janë të brengosur , pasi që  edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të Bordit, nuk janë raportuar informatat në lidhje me organizatorët e grevës, numrin e saktë të grevistëve dhe gjendjen shëndetësore të secilit prej tyre, kohën e hyrjes dhe daljes së grevistëve dhe personave të tjerë në minierë.

Derisa kanë thënë se Bordi i sapo emëruar ka përkrahjen e plotë të Qeverisë, për të mbikqyrur ndërmarrjen, kanë kërkuar nga minatorët që t’i kthehen punës sa më parë.

“Bordi i sapo emëruar ka besimin dhe përkrahjen e plotë të Qeverisë, për të mbikëqyrur efektivisht ndërmarrjen, për të marrë vendimet e duhura dhe për të zgjidhur sfidat operative e financiare. Lusim minatorët dhe punonjësit tjerë të Trepçës për bashkëpunim, dhe që ata t’i kthehen punës sa më parë sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund të arrijmë sukses dhe të përmbushim qëllimet tona të përbashkëta për një Trepçë më të fortë, për punonjësit e saj, për vete e për shtetin tonë”, thuhet në reagim.

Sipas tyre çdo ditë që nuk punohet, I kushton shumë ndërmarjes “Trepça”

Përgjatë ditëve të fundit, Ministria e Ekonomisë ka mbajtur kontakt të rregullt me Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve (BpD) të NP Trepça sh.a., të cilët kanë raportuar rregullisht mbi zhvillimet në Trepçë.

Ne jemi të brengosur që përkundër kërkesave të vazhdueshme të Bordit, nuk janë raportuar informatat në lidhje me organizatorët e grevës, numrin e saktë të grevistëve dhe gjendjen shëndetësore të secilit prej tyre, kohën e hyrjes dhe daljes së grevistëve dhe personave të tjerë në minierë.

Nga Bordi jemi informuar se kërkesat e grevistëve fillimisht, më datë 24 tetor 2023, kanë qenë si vijon:

“1. ekzekutimi i pagave për muaj të bëhet nga data 1 deri me datën 10 në muajin pasues;

2. shkarkimi i ushtruesit të detyrës së kryesheshefit aktual dhe mos emërimi i ndonjë kryeshefi të harxhuar;

3. menaxhmenti i ardhshëm të mundësoj sigurim shëndetësor;

4. menaxhmenti i ardhshëm të siguroj mjete dhe kushte më të mira të punës.”

Sa i përket pagave për muajin shtator, Qeveria ka ndarë 1.64 milionë euro për Trepçën një ditë para se të fillonte greva, pra më 23 tetor 2023, ndërsa ndërmarrja ka ekzekutuar pjesën e mbetur të pagave më 25 tetor (një ditë pas fillimit të grevës).

Pas pagesës së pagave dhe shpjegimit që është dhënë nga Bordi me kërkesa të tjera, më 25 tetor Bordi është informuar se e vetmja ankesë aktive mbetet shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Kryeshefit.