Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një takim me kryetarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljko Komshiq dhe anëtarin Denis Beçiroviq. Në këtë takim Kurti ka theksuar nevojën e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, përfshirë atë për lëvizjen e lirë me letërnjoftime.
Takimi është zhvilluar në Francë, ku kryeministri po qëndron në kuadër të Forumit të Paqes.
Për këtë takim ka njoftuar edhe Zyra e Kryeministrit.
“Tema qendrore të bisedës ishin Procesi i Berlinit, përkatësisht marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të tij dhe përfitimet dhe domosdoshmëria e zbatimit të plotë të tyre, mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe zhvillimet në rajon. Theks të veçantë nga ana e Kryeministrit Kurti iu dha nevojës për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruar në Berlin në nëntor të vitit të kaluar, e cila ende nuk është ratifikuar nga Bosnja dhe Hercegovina”
“Të shtunën, më 11 nëntor, duke filluar nga ora 10:00, në kuadër të ditës së dytë të Forumit të Paqes, Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në panelin e diskutimit me temën ‘Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt’, ndërkohë që gjatë qëndrimit atje do të zhvillojë disa takime” thuhet më tej në njoftim.