Kosova synon ta mbyllë me fitore fazën kualifikuese për Euro 2024

Kombëtarja e Kosovës e zhvillon sonte ndeshjen e fundit për këtë cikël kualifikues për EURO 2024.

“Dardanët” do të takohen ndaj Bjellorusisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ekipi ynë ka dështuar të kualifikohet në evropianin e ardhshëm, ani pse ishte synimi i tyre kryesor para fillimit të edicionit.

Gjasat e mbyllura po ashtu i ka edhe kundërshtari i sotëm që është prapa Kosovës, shkruan “Gazeta Express”.

Dje, trajneri i Kosovës, Primoz Gliha mbajti konferencë për media.

Ai e cilësoi kundërshtarin si shumë të vështirë, si çdo ekip tjetër.

Po ashtu, foli edhe për të ardhmen e tij, për të cilën tha se fokusi i tij është momentalisht vetëm tek Bjellorusia.

Gjatë këtij muaji nëntor, Dardanët i kanë zhvilluar dy ndeshje, fituan me Izraelin 1:0, si dhe barazuan me Zvicrën 1:1.

Ballafaqimi i parë mes Kosovës e Bjellorusisë kishte përfunduar me fitoren e bjellorusëve 2:1.

Pas nëntë xhirove të luajtura, Kosova është e katërta me 11 pikë, dy më shumë se Bjellorusia e pesta.

Në evropian kanë shkuar Rumania, e cila momentalisht është e para më 19 pikë, si dhe Zvicra që është e dyta me 17 pikë.

Të dy ekipet luajnë sonte për pozitën e parë. E në vendin e tretë është Izraeli, derisa e fundit Andorra me dy pikë.

Përballja e sotme mes Kosovës e Bjellorusisë që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, nis nga ora 20:45. /Gazeta Express/