AKP-ja e heq nga lista e shitjes lokalin që Podujeva e shpalli zonë me interes të përgjithshëm

Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka hequr nga lista e shitjes lokalin e ish-“Bankkosit” në qytetin e Podujevës, pasi më parë planifikonte shitjen e tij përmes likuidimit.

Ky vendim i ri i AKP-së ka ndodhur pak ditë pasi asamblistët e Podujevës e kanë shpallur këtë dhe pesë prona të tjera shoqërore me interes të përgjithshëm, për t’i shmangë nga privatizimi.

“AKP është njoftuar lidhur me vendimin e Kuvendit Komunal të Podujevës për shpalljen në interes të përgjithshëm publik të disa pronave që janë nën menaxhimin e AKP-së. ‘Bankkos’ është tenderuar në shitjen e aseteve përmes likuidimit nr. 64, mirëpo me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së është tërhequr nga shitja në bazë të kërkesës së Komunës së Podujevës”, thuhet në vendimin e AKP-së.

Vendimi i Kuvendit Komunal përfshin edhe pesë prona të tjera, që kryesisht janë të ish-kooperativave bujqësore, si: “Flora” në zonat kadastrale Bajçinë, “Revuç”, Pakashticë e Epërme dhe Pakashticë e Poshtme, “Dumnica” në Dumnicë dhe “Drita” në Surkish.

Në dy prej këtyre pronave ka kohë që janë ndërtuar objekte publike, siç është rasti me Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Dumnicë dhe QMF-ja e një pjesë e xhamisë në Bajçinë.

“Fatkeqësisht kemi shembuj të tillë, të cilat nuk janë përfill procedurat të cilat është dashtë të ndiqen që nga fillimi me qëllim të realizimit të projekteve publike. Dhe sigurisht që ne si institucione, pavarësisht hapave të gabueshëm të cilët kanë mund të ndodhin në një periudhë të caktuar të mëhershme, domosdoshmërisht ne duhet t’i futemi këtij procesi të privatizimit, për arsye se nuk ka logjikë që një objekt i institucionit publik të ndërtohet në një pronësi e cila është aktualisht jashtë menaxhimit të komunës, përkatësisht menaxhimit të AKP-së”, ka thënë kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Edhe zyrtarët e AKP-së e kanë konfirmuar se Komuna e Podujevës nuk kishte bërë më herët kërkesë për shpallje me interes të përgjithshëm të këtyre pronave para se të ndërtonte QMF-në në Bajçinë dhe atë në Dumnicë.

Projektet e këtyre dy objekteve kanë qenë të ish-qeverisë lokale në Podujevë.

Lidhur me këtë KOHA i ka pyetur ish-kryetarin Agim Veliu dhe ish-nënkryetarin Nexhmi Rudari, por asnjëri nuk është përgjigjur.

Qëllimi i vendimit të Kuvendit Komunal për këto dy prona të ish-kooperativës bujqësore “Flora” dhe “Dumnica” tash është marrë në emër të zgjerimit dhe rregullimit të hapësirave për këto objekte.

Në pronën afro dyhektarëshe në afërsi të Lagjes së Dëshmorëve në Surkish, Komuna planifikon ndërtimin e shtëpive sociale dhe në lokalin e ish-Bankkosit”, synohet të sistemohet administrata e ndërmarrjes komunale “Eko Llapi”.

HA. Të gjith