Osmani: NATO fati ynë që bazohet në dëshirën tonë për stabilitet

Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Arkansasit po mbajnë konferencën për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, me temën “Demokracia, të drejtat e njeriut dhe ndërtimi i paqes”.

Presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani, ka thënë se 25 vjet pas aktivizimit të botës për ta ndihmuar Kosovën për t’u çliruar nga agresioni serb, shteti ynë ka bërë përparime të mëdha.

“Prania e NATO-s në Kosovë ka vazhduar të luajë një rol kyç në rindërtimin, zhvillimin dhe konsolidimin e  demokracisë. Por edhe për të shërbyer e mbrojtur të gjithë qytetarët tanë, pa dallim etnim. Qytetarët tanë kanë një lidhje të veçantë emocionale me NATO-n. NATO është fati ynë. Ky fat bazohet në dëshirën tonë për të ndarë përgjegjësitë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe më gjerë”.

Osmani ka thënë se synimet e Serbisë për ta kthyer Kosovën në vitet e 90-ta, do të ndalën.

“Fatkeqësisht, cdo ditë që kalon, Serbia nuk turpërohet të na kujtojë qëllimet e saj të vërteta. Serbia, përfaqësuesja e Rusisë në rajonin tonë është e përkushtuar që ta kthejë rajonin tonë në vitet ’90. Serbia dhe aleatët e saj duan të zhbëjnë gjithçka që kemi arritur së bashku ndër vite”, ka deklaruar ajo.

Presidentja sulmin terrorist serb ndaj Kosovës në Banjskë e ka quajtur jo vetëm sulm ndaj fqinjit.

“Është një sulm kundër NATO-s, kundër Shteteve të Bashkuara si mbështetëse e sukseseve tona të përbashkëta. Ne duhet të qëndrojmë të palëkundur në vendosmërinë tonë, për të refuzuar dhe për t’u thënë jo synimeve të tilla të shtetit serb. Ne rezistuam, atëherë, sot refuzojmë. Kosova ka shkuar shumë larg dhe ka humbur shumë jetë të pafajshme për të ecur përpara. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku me aleatët tanë për t’u përballur me sfidat e së tashmes për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të begatë dhe për të siguruar që idealet e lirisë dhe demokracisë që udhëhoqën rrugën tonë, të vazhdojnë të jetojnë rrugën tonë përpara”, ka deklaruar Osmani.