Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe në 25-vjetorin e masakrës së Izbicës së Skenderajt, në kompleksin memorial. Nga aty ai tha se Serbia nuk kurseu as gratë, fëmijët e pleqtë, teksa kërkoi që sistemi i drejtësisë t’i përndjekë dhe gjykojë kryerësit e këtyre masakrave.
“Sot janë bërë 25 vjet nga masakra e Izbicës kur forcat serbe ushtarake, policore, paramilitare të gjitha nën kontrollin e Beogradit zyrtar që asokohe udhëhiqej nga kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq vranë 147 shqiptarë civilë të pambrojtur e të pafajshëm. Nuk u kursyen as gratë, as fëmijët e as pleqtë. Në fakt këta edhe qëllimisht u synuan e u qëlluan sepse Serbia me operacionin ‘Patkoi’ synonte shfarosjen e shqiptarëve dhe zbatimin e projektit të saj gjenocidal kundër nesh“, ka thënë kryeministri Kurti pas homazheve.
Ai tha se për gjithë këtë masakër, ku janë vrarë 127 shqiptarë, është arrestuar vetëm një person.
“Prej këtyre 147 martirëve gjashtë janë ende të pagjetur, meqenëse pasi janë varrosur kur janë vrarë këtu, ata janë zhvarrosur dhe janë varrosur në Serbi për t’u zhdukur gjurmët e krimit. Pra, ende gjashtë prej tyre na mungojnë. Gjaku i këtyre martirëve ndodhet në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë, por sot duhet të themi me keqardhje që për gjithë këtë masakër ku janë vrarë 127 shqiptarë vetëm një person është arrestuar”, ka shtuar Kurti.
Sipas kryeministrit, Prokuroria e Shtetit e ka mundësinë për të përndjekur, e sistemi u drejtësisë në përgjithësi edhe për t’i gjykuar në mungesë kryerësit e kësaj masakre.
“Besoj që është e padrejtë, e padurueshme që për masakrën e Izbicës është arrestuar vetëm një person. Meqenëse kanë të drejtë të gjykojnë në mungesë prokurorët i kanë pagat e mira, i kanë gjithashtu edhe kushtet e favorshme të punës. Krejt çfarë kërkohet është vullnet dhe dije në mënyrë që për këtë masakër dhe për shumë masakra anë e mbanë Kosovës, të cilave do t’ua shënojmë 25 vjetorin në këtë pranverë të kemi shumë urdhërdhënës dhe ekzekutorë prapa grilave”, ka nënvizuar Kurti.