Kurti: Serbia po vazhdon t’i mohojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve

Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar Serbinë se po vazhdon të mohojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka thënë se mbi 950 shqiptarë janë nxjerrë nga pesë varreza masive në Serbi.

“Ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Si Qeveri e Republikës së Kosovës, ritheksojmë zotimin tonë për të mos reshtur së kërkuari ndriçimin e së vërtetës dhe drejtësi për krimet e luftës,” ka shkruar Kurti.

Ai ka përkujtuar se më 31 mars 1999, në shtëpinë e familjes Kumnova në Gjakovë, forcat serbe rrëmbyen dhe vranë gjashtë burra e djem civilë Albion Kumnova, Artan Efendija, Gëzim Deva, Lutfi Bunjaku, Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi.

“Pasi i rrëmbyen, ata i vranë dhe i zhdukën. Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Në vitin 2011, trupat e tyre u gjetën në Batajnicë në periferi të Beogradit. Mes tyre nuk ishte Albioni. Albioni ishte 21-vjeç. Sot bëhen 25 vjet nga zhdukja e tij. Ҫerek-shekulli pritje e përpjekje për të vërtetën për të zhdukurit me dhunë nga Serbia. Sot, në këtë përvjetor, duke përkujtuar të birin e vetëm të familjes Kumnova, kujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë sakrificën për shtetin tonë të lirë. Qëndresa e Nënës Nesrete dhe Bacës Muharrem Kumnova na mbanë të fortë të gjithëve,” ka përfunduar Kurti.