Nuk u lejua të hynte në Kosovë, Petkoviq vazhdon të ankohet

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë sot se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe paraqet shtyllën bosht të Marrëveshjes së Brukselit, si dhe se Kosova e ka refuzuar propozimin të draft-statutit të Asociacionit të bërë nga Beogradi.

“Ne bëmë një hap të mirë përpara kur flasim për Asociacionin dhe atë draftstatutit të Miroslav Lajçak. Prishtina e pa këtë, se ne po shkojmë në drejtim të marrëveshjes gjithnjë e më të ngushtë për drafstatutin përfundimtar dhe se bisedimet në fakt kanë kuptim, që ekspertët e BE-së kanë gjetur një gjuhë të përbashkët. Ndryshe, Prishtina gjatë gjithë kohës refuzon dhe ka refuzuar të diskutojë atë draftstatut, dhe për të parandaluar ato diskutime dhe një marrëveshje për statutin përfundimtar, në dhjetor Kurti filloi me këtë vendim të njëanshëm, shfuqizoi dinarin”, ka thënë Petkoviq.

Ndër tjera, ai ka folur edhe për mosdhëninen e lejes për ta vizituar Kosovën herën e fundit, duke shtuar se kjo po ndodh për një vit me radhë.

“E kam njoftuar vizitën time me kohë, në përputhje me të gjitha procedurat, edhe pse së fundi e kemi ngritur sërish këtë çështje në Bruksel. Është vërtet e paqëndrueshme që Kurti të shkelë marrëveshjen për vizitat zyrtare në një mënyrë të tillë. Ata përsëri i injoruan të gjitha marrëveshjet dhe në një gjë të neveritshme, përsëri na ndaloi hyrjen në zonën e Kosovës”.