Shkencëtarët dhe zbulimet për trurin e njeriut

Shkencëtarët kanë krijuar hartën më të detajuar deri më sot të rrugëve nervore që lidhin hipokampusin me pjesën tjetër të trurit, duke zbuluar modele të papritura të lidhjeve midis rajoneve.

“Ne u befasuam kur gjetëm më pak lidhje midis hipokampusit dhe zonave kortikale ballore dhe më shumë lidhje me zonat e hershme të përpunimit vizual sesa prisnim,” tha psikologu Marshall Dalton nga Universiteti i Sidneit, raporton Science Alert.

Edhe pse ka ende shumë debate rreth rolit të saktë të hipokampusit në kujtesën e njeriut, neuroshkencëtarët janë të bindur se ai luan një rol kyç në ndërtimin e kujtesës dhe integrimin e saj me perceptimin tonë për të na mundësuar të marrim vendime për të ardhmen.

Një kuptim më i mirë se si funksionon hipokampusi në kontekst me zona të tjera të trurit, një ditë mund t’i ndihmojë shkencëtarët të zgjidhin problemin e rënies së kujtesës.

Teknika e re e skanimit dha rezultate interesante

Duke përdorur një teknikë të re skanimi MRI, e cila përdor shpërndarjen e molekulave të ujit nëpër inde për të krijuar kontrast, Dalton dhe kolegët e tij krijuan një hartë me rezolucion të lartë të lidhjeve midis hipokampusit dhe korteksit cerebral nga truri i shtatë grave të rritura nën moshën 35-vjeç. Një studim në lidhje me atë hulumtim u botua në revistën shkencore eLife.

Tani kemi zhvilluar një metodë të personalizuar që na lejon të konfirmojmë se ku lidhen brenda hipokampusit zona të ndryshme kortikale. Kjo nuk është bërë kurrë në një tru të gjallë njerëzor. Ajo që kemi bërë është të hedhim një vështrim shumë më të detajuar në rrugët e lëndës së bardhë, të cilat në thelb janë autostradë komunikimi midis zonave të ndryshme të trurit, thotë Dalton.

Rrjete të ndryshme hipokampale

Shkencëtarët kanë zbuluar se hipokampusi ka rrjete të ndryshme mesazhesh, secila e lidhur me zona të veçanta të korteksit. Njohuritë tona të mëparshme për këto lidhje vijnë nga diseksionet e trurit të primatëve dhe harta e trurit që rezulton është kryesisht në përputhje me njohuritë e mëparshme. Por shkencëtarët tani kanë zbuluar një nivel shumë më të lartë të lidhjeve në zonën e përpunimit vizual të trurit të njeriut dhe më pak në zonat frontale kortikale.

Analiza post-mortum e kryer te primatët mund të zbulojë detaje më të imta deri në nivelin qelizor, kështu që është e mundur që ne ende nuk kemi qenë në gjendje t’i zgjidhim të gjitha këto lidhje te njerëzit. Ose mund të jetë që hipokampusi i njeriut me të vërtetë ka më pak lidhje me zonat ballore sesa presim dhe më shumë lidhje me zonat vizuale të trurit. Kjo ka kuptim duke pasur parasysh se hipokampusi luan një rol të rëndësishëm jo vetëm në kujtesë, por edhe në imagjinatën dhe aftësinë tonë për të ndërtuar imazhe mendore në mendjen tonë, thotë Dalton.

“Ne i duam enigmat”

Studime të tjera të fundit kanë gjetur gjithashtu lidhje midis këtyre zonave të trurit. Shkencëtarët tani duan të zbulojnë nëse modele të ngjashme janë të qëndrueshme tek njerëzit e grupeve të ndryshme demografike.

Ndërsa neokorteksi u zgjerua, ndoshta njerëzit zhvilluan modele të ndryshme lidhjeje për të lehtësuar funksionet specifike të njeriut të kujtesës dhe vizualizimit që nga ana tjetër mund të mbështesin krijimtarinë njerëzore. Është pak mister, thjesht nuk e dimë, por ne i duam enigmat dhe do të vazhdojmë të kërkojmë, tha Dalton.