Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku janë komunat që do të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi kryetarët e tyre u dorëhoqën nga pozita në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale.
Zgjedhjet, sipas Ligjit, shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në orën 14:00, do të takojë partitë politike, në përjashtim të AAK-së, për caktim të datës së zgjedhjeve.
Lidhur me këtë zhvillim, Klankosova.tv, ka kontaktuar partitë politike se a do të ketë kandidatë për kryetarë në këto komuna.
Betim Gjoshi, sekretar për Zgjedhje dhe Organizim nga Partia Demokratike e Kosovës tha, se kjo parti do të jetë përkrah qytetarëve atje.
“Ne fillimisht presim shpalljen e zgjedhjeve nga presidentja e Republikës së Kosovës e më pas Komisioni i Zgjedhjeve përcakton afatet. Ne si parti politike, në katër komunat veriore, kemi pasur një besim të madh të qytetarëve që jetojnë atje dhe kemi qenë zëri i tyre. Normal, në zgjedhje e fundit jemi munduar që bashkë me parti të tjera të arrijmë të kemi listë të përbashkët me kandidatë konsensual. Do të shqyrtojmë edhe tash mundësi të tilla, por gjithsesi që do të jemi afër qytetarëve që jetojnë në atë pjesë sepse ata jetojnë më vështirë se që kanë jetuar çdoherë. Janë pa përkujdesje të institucioneve dhe qeverisë. Janë edhe nën ankth dhe nën frikë pas gjithë këtyre zhvillimeve që kanë ndodhur në atë pjesë. Ne do të mundohemi të jemi afër tyre siç kemi qenë që nga paslufta”, është shprehur ai.
Zyrtari i PDK-së nuk e përjashtoi mundësinë që të ketë listë të përbashkët me partitë shqiptare me kandidatë potencial.
“Jo, nuk kemi pasur dhe përfaqësojmë pjesët ku ka shumicë shqiptare. Jemi partia me shtrirjen më të madhe në territorin e Kosovës. Përndryshe në zgjedhjet e fundit kemi pasur një bashkim të partive shqiptare, një listë të përbashkët me partitë shqiptare dhe partinë boshnjake”, është shprehur Gjoshi, duke thënë se për rezultatin është herët të flitet. “Është herët të flitet, neve si parti ma shumë se rezultatit na intereson atje të vihet rendi dhe ligji të ketë funksionim të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të ketë përkujdesje për ata qytetarë”, u shpreh më tej ai.
Nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se lidhur më këtë temë do të deklarohen pas takimit me të parën e shtetit, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka qenë e qasshme.
Pas konsultimit me partitë politike, presidentja Vjosa Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave brenda afateve ligjore.