Gjatë mbledhjes së Senatit të Universitetit të Prishtinës, përfaqësues të Parlamentit Studentor kanë kërkuar që rektori i ardhshëm i Universitetit të Prishtinës (UP) të jetë kundër plagjiaturës.
Nënkryetari i Parlamentit Studentor, Bleron Bekaj, tha se i kanë disa kërkesa të cilat dua t’i fusin në rend dite në këtë mbledhje të senatit.
Ai po ashtu theksoi se para se të zgjidhej ushtruesja e detyrës së rektorit në UP, Parlamenti Studentor nuk kishte informacion se cili emër do të ishte.
“Në emër të Parlamentit Studentor duam që kërkesën ta paraqesim edhe para senatit. Kërkojmë që të themelohet një rregullore për procesim të trajtimeve të rasteve për plagjiaturë. Kërkojmë po ashtu që ta fus këtë pikë në rend dite. I kemi pyet të deleguarit e senatit para votimit të ud-rektorit, asnjëri prej tyre s’ka pas informacionin më të vogël”, tha ai duke shtuar se emrin e ushtrueses së detyrës së rektorit e dinin vetëm dy dekanë.
“Të vetmit kanë qenë dy dekanë, ndërsa të tjerët kanë qenë të painformuar. Kur e kemi pyet anëtarin e katërt të Këshillit drejtues, ai është i deleguar nga senati, kryesuesi iu ka drejtuar Këshillit drejtues ‘ne jemi marr vesh’”, u shpreh Bekaj.
Ai gjithashtu i paralajmëroi dy dekanët se nëse nuk do të ketë bashkëpunim me studentët, ata do t’i bëjnë publike edhe fotografitë e tyre në 14 njësi të dekanëve.
“E, se me kënd janë marr vesh, nuk e dimë. Ju bëjmë me dije dy dekanëve që do të bëhet targetimi i tyre dhe individual dhe mos të ketë prishje të hierarkisë. Si dhe ju bëjmë me dije dekanëve se fotot e tyre dhe rrjedha e ngjarjes do të shpërndahet në 14 njësi akademike në rast se nuk shohim progres të bashkëpunimit”, u shpreh ai.