Shqipja, gjuhë e lashtë me alfabet jo fort të vjetër

Shqipja është njëra ndër gjuhët më të vjetra që fliten në Ballkan, mirëpo, tek para 114 arriti ta unifikonte alfabetin. Ajo deri në atë kohë herë shkruhej me shkronja latine, herë me greke, e herë me ato arabe si dhe të tjera.

Ndonëse alfabeti i shqipes është mjaft i ri, për këto 114 vjet shqipja lulëzoi me studime, që hodhën dritë mbi shumë probleme e çështje të panjohura të kësaj gjuhe.

Gjuhëtari Bardh Rugova, që njëherësh është edhe profesor në Universitetin e Prishtinës, në degën e Gjuhës shqipe, konsideron se shqipja ka pasur zhvillime të rëndësishme në këto 114 vjet të fundit dhe vazhdon të kalojë në dinamikat e veta të zhvillimit.

Ndër ndryshimet kryesore ai përmend ato kontekstore.

“Ka ndryshuar statusi dhe pozita e shqipes. Nga gjuhë të përdorimit në shtëpi në Perandorinë Osmane (po flasim për vitin 1908), në gjuhë zyrtare, të standardizuar dhe të kultivuar”, tha Rugova për Klankosova.tv

Sipas profesorit Rugova, zhvillimet më të rëndësishme për shqipen pas unifikimit të alfabetit, janë studimet e studiuesve vendas dhe të huaj, përshkrimet e strukturave dhe të dinamikave të zhvillimit të saj, përmes së cilave e kuptojmë këtë gjuhë.

Ai theksoi se edhe para 114 vjetësh shqiptarët kishin orientime perëndimore, andaj edhe përzgjedhja e një alfabeti të përbashkët të shqipes nuk kishte si të ishte ndryshe, pos me bazë latine.

“Intelektualët shqiptarë të asaj kohe, sikur edhe sot, kishin orientime perëndimore dhe kjo do të manifestohej edhe me zgjedhjen e alfabeteve me bazë latine”, shtoi Rugova.

Edhe pse u dokumentua diku rreth shekullit XV, kjo gjuhë indoevropiane është shumë më e vjetër se kaq.

Se shqipja është e lashtë, e dëshmojnë kontaktet me greqishten e vjetër, nga e cila shqipja (atëkohë protoshqipja) huazoi shumë fjalë, gjë që tregon për një fqinjësi në mes të grekëve e paraardhësve të shqiptarëve.

E që shqiptarët nuk ndërruan vend tregojnë edhe kontaktet e shqipes me latinishten, pastaj sllavishten e turqishten.

Shqipja edhe pse e re me shkrim, por e vjetër me ekzistencë, është zhvilluar shumë dhe vazhdon të zhvillohet, falë studimeve të vazhdueshme. /Klankosova.tv