Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën u diskutua në dy takimet e fundit të grupit punues të vizave në Këshillin e BE-së. Çekia, që kryeson Presidencën e Bashkimit Europian, i ka mbajtur në konfidencialitet qëndrimet e shteteve anëtare mbi këtë proces. Por, Ministria e Jashtme Sllovakisë në një përgjigje për Gazetën Express ka zbuluar propozimin që e ka bërë në takimin e fundit për vizat. Sot Express e ka publikuar edhe qëndrimin e Holandës e cila është pro heqjes së vizave, ndërsa nga Madridi kanë thënë se s’komentojnë për negociatat që po vazhdojnë.
Në media u raportua se dy shtetet mosnjohëse, Spanja dhe Sllovakia, mund të jenë dy shtetet që kanë dhënë vërejtje e kanë kërkuar sqarime për liberalizimin e vizave për Kosovën në të ashtuquajturën procedurë të rregullt, duke e ndërprerë këtë procedurë dhe duke penguar që propozimi të marrë dritën e gjelbër.
Por, këtë e ka mohuar Sllovakia, e cila tha se në takimin 10 nëntorit ka bërë një propozim për një pjesë të tekstit, por se ajo është e angazhuar në procesin përgatitor.
“Sllovakia ka ofruar një propozim-draft në kuadër të procesit të rregullt të draftimit në Këshill për të përmirësuar një pjesë specifike procedurale të tekstit. Në këtë mënyrë Sllovakia nuk ka thyer procedurën e heshtur apo të shkruar sepse nuk ka pasë një procedurë të tillë për ta thyer. Procesi përgatitor vazhdon nën drejtimin e Presidencës Çeke dhe Sllovakia do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive”, thuhet në përgjigje.
Për Gazetën Express gjithashtu ka folur edhe Spanja, por duke refuzuar që të zbulojë nga ky proces.
“Ne vetëm mund të themi se ne nuk mund të komentojmë negociatat në vazhdim”, thotë shkurt MPJ e Spanjës.
Propozimi çek ishte që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhej me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS, siç kërkoi Franca, por njëherësh të caktohej edhe data e fuqizimit të vendimit “jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023”.
Edhe Presidenca çeke është deklaruar për procesin e vizave, duke thënë se do të punojnë për t’i sqaruar hezitimet dhe vërejtjet e shteteve anëtare, por pa zbuluar se kush janë ato shtete.
“Negociatat vazhdojnë. Ne kemi marrë disa reagime përsëri në lidhje me propozimin, kështu që ka ende disa çështje që duhen sqaruar. Fatkeqësisht nuk mund të flas për shtetet anëtare konkrete dhe shqetësimet e tyre pasi kjo mund të ndikojë në përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë për Express të mërkurën zëdhënësja e Presidencës çeke, Eva Hrncirova.
Komisioni Europian për vite me radhë ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovës, duke konfirmuar se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet.
Më në fund, këtë e ka dëgjuar Holanda, si një ndër shtetet më skeptike, e cila sot për Gazetën Express tha se mund të jenë dakord që Kosovës t’i hiqen vizat pasi kanë parë të gjeturat nga raporti për Kosovën i KE-së.