Kalojnë më shumë se dy orë, Kurti e Vuçiq akoma në negociata për targat

Kanë kaluar më shumë se dy orë prej kur ka nisur takimi mes Kreyministrit Kurti dhe Vuçiqit në Bruksel. Deri në këto qaste, ai akoma nuk ka përfunduar, raporton Gazeta Express.

Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq janë ritakuar në Bruksel, pas një ngërci tjetër në veriun e Kosovës, pas nisjes së zbatimit të vendimit për konvertimin e targave të lëshuara ilegalisht nga Serbia.

Para nisjes së takimit, nga Bashkimi Evropian kanë publikuar pamjet nga dhoma ku qëndrojnë si ndërmjetësues Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi i Posacëm për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak.

Para hyrjes në negociata, Kurti dhe Vuciq patën takime të veçanta me përfaqësues evropianë.

Kurti pati një bisedë pakminutëshe me Borrellin, që u transmetua drejtpërdrejt, për t’u mbyllur dyert për media më pas.

Para takimeve, Kurti dukej i relaksuar dhe shkëmbeu disa shaka me përfaqësuesit evropianë.

Disponimi i Vuciqit, me aq sa shihej në pamjet e shkurta, ishte tjetër. Vuciq kreu takimin formal me fotografi, me përfaqësuesit e BE-së, pa shumë fjalë dhe me fytyrë, që dukej si e ngrysur.

Dy liderët ballkanikë po i iknin kontaktit me sy dhe nuk komunikuan mes vete, në ata minuta që mediat po merrnin pamje nga takimi.

Kurti kishte përpara disa dosje të klasifikuara, ndërsa Vuçiq duket se nuk ishte ngarkuar me dokumente të shumta.

Herën e fundit kur Kurti dhe Vuciq u takuan në Bruksel ishte më 18 gusht, pas tensioneve të 31 korrikut dhe para përfundimit të afatit njëmujor për zbatimin e vendimit për targa dhe për reciprocitetin në dokumentet për “hyrje-dalje”.

Edhe ai takim kishte zgjatur disa orë, pa ndonjë rezultat të deklaruar atë ditë.

Më vonë, Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se ka dhënë një propozim se si duhet të dukej marrëveshja e përgjithshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Takimi i sotëm është thirrur në ditën e fundit kur do të niste faza e dytë e zbatimit të vendimit për targa. Sot, pra, më 21 nëntor, ka pasur të nisë dhënia e gjobave për qytetarët e Kosovës, që vozisin automjete me targa të lëshuara ilegalisht nga Serbia.

Policia e Kosovës ka njoftuar të dielën se faza për dhënien e gjobave për poseduesit e targave ilegale do të nisë nga nesër, e martë, 22 nëntor. /Express/