Fatmir Humolli nuk beson se do të ketë marrëveshje për targat

Deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli është shprehur skeptik sa i përket zgjidhjes së marrëveshjes për targa në afatin 48-orësh .

Në emisionin “Ditari” në tëvë1, ai theksoi se problemi i targave nuk është zgjidhur për 20 vite, e që nuk beson se do të zgjidhet kaq shpejt.

“Qe 20 vite nuk u bë zgjidhje e këtij problemi dhe tash me prit shpejt që do të zgjidhen këto probleme është jo reale… Jo nuk ka mundësi për arsye se shteti serb është shtet që i prinë një politikë shoveniste, nuk i mbron interesat e popullit serb, sepse interesat e popullit serb nuk janë me qenë në konflikt me popullin shqiptar por janë interesat e një politike shoveniste që po e qet në pozitë të keqe popullin serb në Kosovë”, tha ai.

Sipas Humollit, siç ka luajtur ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç me serbët e Kosovës, me të njëjtën kartë po luan edhe sot presidneti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell.

“Ashtu siç ka luajtur Millosheviqi me serbet e Kosovës ashtu luan edhe sot Vuqiçi ashtu po luan edhe Borelli njejtë po bën kartë ose lojë po rrezikon jetën e popullatës serbe, me u identifiku prej qytetarëve tjerë të Kosovës. Në qoftë se keta janë të interesuar me e rreziku popullatën e vet, se është interes i shtetit tonë që me qenë të barabartë të gjithë derisa ne punojmë që qytetarët tonë të jenë të barabartë atëherë pse BE-ja, don me pas këso dallime pse Vuqiç don me pas këso dallime”, shtoi ai.

Ndryshe mbrëmë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e vendimit për shqiptimin e gjobave për pronarët e makinave me targa ilegale të lëshuara.

SHBA ka kërkuar që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet për dy ditë. Në një deklaratë të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, thuhet se është kërkuar kjo kohë që të lejohet BE-ja dhe SHBA-ja për të angazhuar palët që të gjejnë zgjidhje.