Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka takuar sot ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe zëvendësministrin, Hysen Durmishi, shkruan Llapi.info.
Në një postim në Facebook, Bulliqi ka thënë se në këtë takim është diskutuar për punimet e rrugës Prishtinë – Podujevë.
Postimi i plotë:
Sot me bashkëpunëtorë kemi zhvilluar takim me Ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Zëvendës-Ministrin e kësaj Ministrie, Hysen Durmishi.
Me ta kemi biseduar për realizimin e projekteve infrastrukturore në Komunën e Podujevës, sigurisht temë kyqe e bisedës ishte magjistralja Podujevë-Prishtinë, folëm për sfidat, vështirësitë dhe për domosdoshmërinë e realizimit të këtij projekti në afat sa më të shpejtë.
Diskutuam edhe për projektet e përbashkëta që kemi si institucione si rruga “Skënderbeu”, zgjerimin e ujësjellësit në Orllan dhe folëm për trajtimin e ujërave të zeza, nevojën e menjëhershme për rregullimin e rrugës që dërgon tek Burgu i Sigurisë së Lartë e tema të tjera.
Me ministrin Aliu u dakorduam të jemi në komunikim të vazhdueshëm, në funksion të realizimit të secilit projekt të planifikuar për Komunën e Podujevës.