Një patrullë e Policisë po qëndron te shtëpia e familjes së Hamide Magashi, shtatzënës 35-vjeçare që u vra mbrëmë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, ku kishte shkuar për të kryer lindjen. I dyshuar për vrasjen është ish-burri i saj, Sokol Halili, i cili ndodhet ende në arrati.
Gazetarja e Express, Merita Miftari, po qëndron të shtëpia e familjes së viktimës në Llugaxhi të Lipjanit, prej ku raporton se ka parë edhe familjarët, të cilët janë në gjendje shumë të rëndë emocionale.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka deklaruar Ahmeti./Gazeta Express