Bulliqi për dëmet pas vërshimeve: Mbi 2 milionë € dëmi vetëm në infrastrukturë!

Javën e kaluar, disa komuna të Kosovës janë goditur nga vërshimet pas reshjeve të shiut.

Njëra ndër komunat më të prekura nga vërshimet është edhe ajo e Podujevës.

Kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, për IndeksOnline ka thënë se javën e kaluar është themeluar komisionin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore që ka filluar punën menjëherë.

Ndërsa kur bie fjala tek kostoja e dëmit të shkaktuar nga vërshimet, Bulliqi theksoj së është ende herët dhe se nuk dihet akoma kostoja e dëmtimeve, por tregoj që janë në fazën e vizitave tek qytetarët e dëmtuar dhe se fshati më i dëmtuar është Pakashtica.

’Është ende herët të flasim me shifra për dëmet e shkaktuara nga vërshimet, pasiqë jemi në fazën e vizitave tek qytetarët e dëmtuar. Fshati më i prekur është Pakashtica, aty përveç dëmeve që janë shkaktuar tek tokat bujqësore e shtëpitë e banimit, dëmet janë shumë të mëdha në infrastrukturën rrugore’’, tha ai.

Më tutje, Kryetari i Podujevës, bëri të ditur se vetëm në infrastrukturë dëmi është mbi 2 milionë euro, kurse për dëmet e tjera duhet të presim raportin nga ana e Komisionit për vlerësimin e dëmeve.

‘’Diçka që mund të konstatojmë tash pas vizitave në teren nga ana e inxhinierëve tanë duke evidentuar të gjitha dëmet në infrastrukturën rrugore, kostoja e dëmit në infrastrukturë është mbi 2 milionë euro, kemi rrugë krejtësisht të dëmtuar, ura, rrjet të kanalizimit atmosferik dhe fekal etj. Ndërsa për dëmet e tjera duhet të presim raportin nga ana e Komisionit për vlerësimin e dëmeve’’, deklaroi Bulliqi për IndeksOnline.