Një muaj pas sulmit në Banjskë, Kurti dhe Vuçiq pritet të takohen gjatë kësaj jave në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet që të kenë një takim gjatë kësaj jave në Bruksel.

Siç merr vesh Telegrafi, takimi pritet të mbahet mes datave 26 dhe 27 tetor 2023.

Takimi do të zhvillohet në margjinat e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Telegrafi ka kontaktuar me Zyrën e Kryeministrit për të konfirmuar një gjë të tillë por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndryshe presidenti serb Vuçiq ka thënë për mediat në Beograd, se pret që pas dy-tri ditësh të shkojë në Bruksel për bisedime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se nuk mund të japë më shumë informacione rreth këtij takimi.

“Agjenda është në përputhje me atë që është diskutuar me ‘pesëshen e madhe’ dhe se nuk mund të flasë për këtë sepse marrëveshja është e tillë. Pas kësaj do të kemi më shumë informacione. E jona është që ta mbrojmë Serbinë nga të gjitha masat e mundshme, por dhe nga shembja e interesave tona kombëtare dhe shtetërore”, ka theksuar Vuçiqi.

Ky takim pritet të realizohet një muaj pas sulmit terrorist që ndodhi ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit.

Kujtojmë se Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit janë takuar më 14 shtator.

/telegrafi/