Llapi dhe Drita kthehen te fitorja, gabon Prishtina

Kanë përfunduar tri ndeshjet e sotme të vlefshme për javën e 14-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Drita dhe Llapi arritën që të rikthehen te fitorja, teksa Prishtina gaboi sërish, shkruan Gazeta Express.
Gjilanasit fituan 1:0 si vendas me mjaft vështirësi ndaj Fushë Kosovës, falë golit të shënuar nga Besnik Krasniqi (84’).
Drita pas kësaj fitore ka 25 pikë dhe renditet e dyta në tabelë. Fushë Kosova është e parafundit me 10 pikë.
Me rezultat të njëjtë triumfoi edhe Llapi ndaj Feronikelit ’74 në “Zahir Pajaziti”.
Tri pikëve llapjanëve ia siguroi Hamdi Namani (29’).
Llapi është i treti në tabelë me 25 pikë, kurse Feronikeli ’74 është i teti me 12 pikë.
Prishtina nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në udhëtim ndaj Lirisë. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Përparim Thaçi” u mbyll me rezultatin 2:2.
Prishtinasit ishin duke udhëhequr me dy gola epërsi në këtë ndeshje, por nuk ia dolën ta mbanin epërsinë deri në fund.
Jalen Blesa (3’) dhe Leotrim Kryeziu (9’) shënuan golat për Prishtinën.

Prizrenasit arritën të barazonin gjithçka në pjesën e dytë, me golat e Andri Stafa (75’ penallti) dhe Aprocius Petrus (83’).

Prishtina pas këtij barazimi ka 18 pikë dhe është e pesta në tabelë. Liria mbetet e fundit me 9 pikë të grumbulluara. /Gazeta Express/