Kryeministri i Kosoves Albin Kurti ka takuar kancelarin gjerman Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij në Berlin. Kurti ka thënë se në takimin me shefin e qeverisë gjermane janë dëshmuar marrëdhëniet e forta dypalëshe dhe vizioni i përbashkët si socialdemokratë për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies në të dy vendet.
Kurti ka thënë se ka marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, SPD-së, për të cilën tha se fokus i bisedës ishte fuqizimi i bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat.
“E në margjina të Kongresit, takimi me Kancelarin Scholz dëshmoi marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies në të dy vendet. Kosova është shtet i së drejtës, demokracisë e barazisë për të gjithë. Biseduam dhe rreth dinamikës e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, procesin e dialogut e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian”, ka shkruar ai në Facebook.
Gjatë qëndrimit në Gjermani. Kurti është takuar edhe me mërgatën atje, për të cilët tha se i ka informuar për zhvillimet në vend.
postimi i plotë:
“Në vizitën e radhës zyrtare në Berlin, së bashku me ministrin Çeku dhe nënkryetaren e dytë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mrika Limani Myrtaj, pata nderin të marr pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, SPD-së.
E në margjina të Kongresit, takimi me Kancelarin Scholz dëshmoi marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies në të dy vendet.
Fuqizimi i bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat ishte fokus i bisedës dhe me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi si dhe me Kryetarin e SPD-së njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, Lars Klingbeil.
Kosova është shtet i së drejtës, demokracisë e barazisë për të gjithë. Biseduam dhe rreth dinamikës e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, procesin e dialogut e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian.
Nuk mund të mungonte dhe takimi me mërgatën, ku biseduam mbi një mori temash, i interesuar jo vetëm për t’i informuar me ecurinë e aktualitetin e vendit tonë, por edhe për të dëgjuar rreth jetës e përvojës së tyre, përshtypjeve e ideve të diasporës.”