Maqedonci: Kosovës iu pranua kërkesa për blerjen e raketave amerikane

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se Kosovës i është pranuar kërkesa për porosi për sisteme raketore anti-tank “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në emisionin “60 Minuta” në KTV, të enjten Maqedonci ka thënë se kërkesa nga Departamenti Amerikan i Shtetit do të dërgohet në Kongres për miratim dhe se Kosova pret përgjigje pozitive.

“Mund të konfirmoj që është pranuar kërkesa e Republikës së Kosovës për blerjen e sistemeve raketore anti-tank ‘Javelin’. Dihet se kjo kërkesë do të dërgohet nga DASH-i për aprovim në Kongres dhe ne presim përgjigje pozitive në aspektin e aprovimit nga Kongresi, sidomos duke pasur parasysh që SHBA-ja është përkrahëse kryesore e tranzicionit të FSK-së dhe zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse”, ka thënë ai duke shtuar se në planin e tranzicionit ka qenë i përfshirë edhe sistemi “Javelin”.

Maqedonci ka thënë se Kosova bën blerje të armëve nga SHBA-ja nëpërmjet marrëveshjes direkte shtet-shtet. Ai ka theksuar se shpreson që Kosova të vazhdojë blerje të tjera nga SHBA-ja dhe shtetet partnere. Sipas tij, të gjitha sistemet që blihen për FSK-në janë me standarde të NATO-s.

Duke folur për sasinë e blerjes së “Javelinëve”, Maqedonci ka thënë se do të blihen “mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e FSK-së”.
Ai ka konfirmuar se në pako me raketat vijnë edhe trajnimi, pajisja dhe manualet e mirëmbajtjes. Maqedonci ka thënë se ende nuk ka nisur faza e negocimit të çmimit të raketave. Po ashtu do të negociohet edhe çështja se kur do të vijnë raketat.

Sipas tij, FSK-ja është në procesin e analizës së numrit të nevojshëm për FSK-në.

Maqedonci ka konfirmuar se pos SHBA-së dhe Turqisë, Kosova ka kontratë për blerje të armëve edhe nga një shtet tjetër.

“Kemi bërë edhe blerje të tilla, së fundmi edhe përmes Republikës së Turqisë, por kemi kontratë edhe me Gjermaninë dhe të gjitha këto do të jenë pjesë e FSK-së”, ka thënë ai.

Maqedonci ka thënë po ashtu se Kosova është duke planifikuar të blejë edhe sisteme anti-ajrore. Sipas tij, kjo do të bëhet publike së shpejti. “Jemi të fokusuar sidomos në vendet që kanë partneritet më të afërt. Prijnë Shtetet e Bashkuara, që kanë qenë mbështetëset tona kryesore të zhvillimit të kapaciteteve tona, por kemi bashkëpunim edhe me vende të tjera të NATO-s, si Turqia, Gjermania, Britania, Italia, Kroacia edhe vende tjera”, ka thënë tutje ai.

I pari që përmendi pranimin e kërkesës për blerjen e raketave “Javelin” nga SHBA-ja, e përmendi ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka folur edhe për dronët “Bayraktarë” të blerë nga Turqia. Sipas tij, dronët janë pajisje të kompletuara dhe Kosova tashmë ka sasi të nevojshme për të operuar në rast nevoje.

Ministri ka konfirmuar se në 3 vjetët e fundit, ministria e Mbrojtjes ka prokuruar pajisje në vlerë të 239 milionë eurove.

/Koha.net/