Autoriteteve të Kosovës u kërkohet të bashkëpunojnë me aleatët

Dy ditë para se të bëhet një çerek shekulli nga nisja e sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë, ambasadorë e ish-diplomatë kanë theksuar rëndësinë e kësaj ndërhyrjeje në çlirimin e Kosovës.

Në një konferencë të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës, profesori David Philipps rikujtoi momentin e ndërhyrjes. Ai ishte pjesë e ekipit të diplomatit amerikan Richard Holbrooke, që para se aleanca më e fortë ushtarake t’i niste raketat mbi Serbinë, bëri përpjekje që ta bind Sllobodan Millosheviqin që t’i ndalte mizoritë në Kosovë.

“Negociatat në Beograd kishin dështuar dhe Holbrooke do të largohej nga Beogradi dhe ai më kërkoi mua që të thirrja gjithë miqtë shqiptaro-amerikanë, ngase për Holbrooke isha personi kyç për ta bërë këtë dhe t’u tregoja që bombardimet e NATO-s fillojnë të nesërmen. Por, nuk mund ta shpjegoj ndjesinë që pata nga ky lajm”, ka thënë Philipps.

Ndërhyrjes së NATO-s i paraprinë negociata në Rambuje dhe në Paris, e në fund të të cilave Serbia refuzoi ta nënshkruante marrëveshjen për ta ndalur luftën dhe për ta braktisur Kosovën.

Ish-ambasadori Lulzim Peci, i cili është ekspert i sigurisë, tha se Perëndimi ndërhyri ushtarakisht, pasi paraprakisht mori mësim nga krimet e luftës të kryera në Bosnjë e Hercegovinë.

“Mësimet e nxjerra nga mizoritë në Bosnjë e Hercegovinë e bënë të qartë për forcat kyçe aleate në NATO intervenimin në kohë. Reagimi ndërkombëtar për të zgjidhur krizën në Kosovë filloi me një takim të Grupit të Kontaktit më 10 mars 1998 ku u vendos për sanksione diplomatike dhe ekonomike për Jugosllavinë”, ka thënë Peci.

Pas fushatës 74-ditëshe ajrore të NATO-s, Serbia braktisi Kosovën. Në 2008-n, Kosova shpalli pavarësinë dhe nga 2011-ta nisin dialogun në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, shtet që refuzon ta njohë realitetin e ri edhe 25 vjet pas operacionit të bombardimeve.

Ambasadori i amerikan, Jeff Hovenier, tha se dialogu është rruga e vetme e Kosovës drejt integrimit evropian e euroatlantik.

“Shpirti ose rruga e vetme për integrim të Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Nuk ka rrugë tjetër. Dhe posaçërisht implementimi në mirëbesim dhe i plotë i të gjitha zotimeve që janë bërë nga Kosova në dialog. Kjo nuk është e negociueshme. E presim nga kjo Qeveri, ashtu siç kemi kërkuar nga të gjitha qeveritë paraprake, që të punojë në partneritet me ne derisa vazhdojnë përpjekjet tona për të ndërtuar një Kosovë prosperuese, multietnike dhe të sigurt”, ka thënë Hovenier.

Për ndërhyrjen ushtarake kundër objektivave policore e ushtarake serbe, rol vendimtar ka luajtur presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Clinton.