Sllovenia është e gatshme të shtojë numrin e trupave të saj në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë thënë të enjten sekretari i përgjithshëm i Aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, dhe kryeministri slloven, Robert Golob.
Duke folur gjatë një konference të përbashkët shtypi në Bruksel, Stoltenberg ka lavdëruar Slloveninë për rolin e saj në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor gjatë dy dekadave, prejse ajo është bërë anëtare e NATO-s.
“Sllovenia për shumë vjet ka kontribuuar me ushtarët dhe forcat e saj në misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, dhe ne e mirëpresim njoftimin e kryeministrit Golob për gatishmërinë për ta rritur edhe më shumë kontributin slloven në misionin tonë, KFOR”, ka thënë Stoltenberg.
Sllovenia i ka të stacionuara në Kosovë 103 ushtarë në kuadër të KFOR-it. E Golob ka thënë se ky mision është mbase “tregimi më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i bashkëpunimit brenda NATO-s, për mënyrën se si të stabilizohet rajoni”. Ai ka theksuar se, edhe pse Sllovenia gjatë viteve të fundit e ka zvogëluar kontributin, është e gatshme që të bëjë më shumë, po qe se është nevoja.
“Dhe duket se, po, mund të ndodhë në muajin e ardhshëm, por kjo është diçka për të cilën duhet të diskutohet dhe të vendoset”, ka thënë ai.
Në raportin vjetor të NATO-s, publikuar më 14 mars, Stoltenberg ka thënë se prania ushtarake e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetin në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar të rriten në fund të majit të 2023-s, pasi kryetarët e rinj të komunave në Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq, të shoqëruar nga policia e Kosovës, hynë në objektet komunale. Banorët serbë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta që kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku u plagosën dhjetëra demonstrues dhe ushtarë të KFOR-it. Ato u përshkallëzuan disa muaj më vonë, më 24 shtator, kur policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic dhe tre sulmues.
Si rrjedhojë, NATO-ja e shtoi numrin e ushtarëve të saj në misionin paqeruajtës, KFOR, në Kosovë.
Sipas raportit të Stoltenbergut, tani misioni i KFOR-it i ka 4700 pjesëtarë në Kosovë, përfshirë edhe forcën rezervë. Ky numër do të rritet edhe më shumë, nëse merret vendim që Sllovenia ta shtojë numrin e trupave në Kosovë muajin e ardhshëm.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se qytetarët e Kosovës nuk duhet të shqetësohen për kërcënimet dhe sulmet e mundshme, pasi që misioni i NATO-s në Kosovë është “i gatshëm ta bëjë gjënë e duhur”. Hovenier ka shtuar se garancitë e sigurisë që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës vazhdojnë të jenë të forta, përderisa ka theksuar që Kosova përfiton në aspektin e sigurisë nga prania e misionit të KFOR-it që “është forcë krejtësisht penguese ndaj ndonjë lloj sulmi që qytetarët mund të jenë të shqetësuar”.