Tahiri: Qeveria Kurti i ka kthyer në trend tenderët njëburimorë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria po i frikësohet hetimit të tenderëve njëburimorë, ndërsa ka shtuar se themelimi i komisionit hetimor për këtë çështje është më e pakta që Kuvendi mund të bëjë.

Sipas Tahirit, Qeveria ka bërë mbi 780 tenderë njëburimorë e që ka theksuar se ata janë burim i korrupsionit.

Ai ka potencuar tutje se Qeveria Kurti e ka kthyer në trend tenderin njëburimor.

“Themelimi i Komisionit për tenderët njëburimorë është më e pakta që ky Kuvend mund të bëjë. Ka një frikë serioze të kësaj qeverie në raport me hetimin e tenderëve njëburimorë që shuma e tyre vjen në 209 milionë euro. Kjo qeveri ka kontraktuar 781 tenderë njëburimorë të cilët pa asnjë dyshim janë burim i korrupsionit dhe keqpërdorimit. Kontratat njëburimore janë përdorur në sasi të madhe dhe në kundërshtim me ligjin. Kontraktimi njëburimor edhe pse në aspektin ligjor duhet të hyjë atëherë kur ka emergjencë kjo qeveri e ka kthyer në trend. Dua ta përmbyll me një qëndrim hipokrit të Kurtit. Ai flet për luftën kundër korrupsionit por ai e ka korruptuar luftën kundër korrupsionit. Ai e sheh të korruptuar vetëm atë që nuk është në lëvizjen e vet. Për herë të parë kryeministri e ka korruptuar luftën kundër korrupsion”, është shprehur Tahiri në Kuvend.