Kryeministri Albin Kurti në një pjesë të podcastit “Public Square” të Ditmir Bushatit në temën “Koha e shqiptarëve” ka folur për marrëdhëniet shqiptaro-serbo përgjatë historisë dhe se si ato ndikojnë edhe sot.
Sipas Kurtit, konflikti konsiston te shqiptarët me shtetin serb dhe jo me popullin, duke e quajtur Beogradin si qendër të një “imperializmi të vockël”.
“Konflikti kryesor i shekullit XX është midis kombit shqiptar dhe Serbisë si shtet. Jo në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Dallimi kombëtar nuk ka prodhuar konflikte, por Beogradi ka qenë qendra e një imperializmi të vockël sepse në botë nuk ka vetëm imperializëm të madh, por edhe imperializma të vegjël, të cilët janë shumë të mëdhenj për fqinjët. E Beogradi ka qenë një qendër e tillë imperialiste atëherë kur flakadanin e regjimit të preferuar të Moskës në këtë pjesë të Europës ia mori Bullgarisë. Fillimisht, Bullgaria ka qenë e preferuara e Moskës dhe këtë flakadan prijës se kush do të jetë shteti që prin në Ballkan nga Bullgaria e rrëmbeu Serbia dhe ne i kemi të gjitha këto probleme që nga Lidhja e Prizrenit e këtej dhe që shfaqen tek politikanët sepse vetëm pyeti se çfarë të thonë për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e nga këto dallime mund të gjesh shumë kollaj dhe shkakun, jo vetëm korrelacionin me dallimet që i kemi pastaj me njëri-tjetrin”.
Në bazë të kësaj, Kurti thotë se konflikti mes shqiptarëve si komb dhe shtetit të Serbisë ende s’ka përfunduar.