Arijanet Muric ka zhvilluar edhe ndeshjen e tij të dytë radhazi në elitën e futbollit anglez Ligën Premier dhe në të dyja ka shkëlqyer.
Debutimi i Aros në Ligën Premier ndodhi ndaj Brentford, ku skuadra e tij Burnley mori një fitore me rezultat 2-1 dhe pikërisht portieri kosovar ishte më i miri në fushë.
Vincent Kompany vendosi t’i besoj atij edhe në një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Chelseat në Stamford Bridges, derisa Burnley arriti një barazim 2-2 përkundër se ishin me një futbollist më pak në fushë që nga pjesa e parë.
Ky barazim erdhi falë pritjeve heroike që bëri Aro Muric, pasi portieri dardan priti 11 gjuajtje brenda portës dhe mori notën maksimale 10.
E falë dy ndeshjeve spektakolare që i zhvilloi ku mori dy herë çmimin si më i miri i ndeshjes, mediumi i madh britanik ‘The Athletic‘ ka bërë një artikull për portierin dardan, duke shkruar se ai tregoi se meriton të jetë pjesë e Ligës Premier.
“Arijanet Muric po ofron siguri. Ishte i vetmi zëvendësim që trajneri Vincent Kompany nuk kishte provuar. Por pas 28 xhirosh me besim të palëkundur në transferimin e verës, James Trafford, Kompany vendosi të ndërrojë portierin”.
“Muric ishte i jashtëzakonshëm në kampanjën në Championship që përfundoi me titull edicionin e kaluar. Bëri vend në ekipin më të mirë të edicionit, sipas votimit të lojtarëve. Ishte pjesë e ekipit që mburrej me bilancin më të mirë në mbrojtje. Kombinoi ndaljen e gjuajtjeve me kualitetin gjatë posedimit të topit”, ka analizuar ‘The Athletic’.
Shumë nga tifozët kanë vlerësuar se Aros i është bërë e padrejtë që është larguar nga formacioni bazë në Ligën Premier pas një sezoni të mrekullueshëm që zhvilloi në Championship.