Më 26 dhjetor 2021, Kosova detektoi rastet e para me variantin Omicron të koronavirusit dhe përmbylli një vit me situatë të qetë epidemiologjike.Po këtë ditë, në Kosovë u konfirmuan 9 rastet e para me variantin Omicron.
Më 27 dhjetor, MSH-ja njoftoi se të gjithë qytetarët që kanë marrë dy dozat e vaksinës para tre muajsh, mund ta marrin dozën përforcuese.
“Shkurtimi i kohës për marrjen e dozës përforcuese është bërë duke u bazuar në hulumtimet e shteteve të ndryshme rreth vaksinimit kundër COVID-19, përkatësisht dozës përforcuese, situatës epidemiologjike në vend dhe rajon, pranisë edhe të variantit Omicorn të SARS COV-2 si dhe nevojës për vaksinim të plotë të popullatës”, tha MSH-ja.
Rekomandimi i mëhershëm ishte që të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç mund të merrnin dozën përforcuese gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës kundër koronavirusit.
Njerëzit që u infektuan me variantin Omicron raportuan një ndjenjë kruarjeje në fyt si simptomë, gjë që bëri që zëri i tyre të ndryshonte ose të ngjiret.
Ndryshe nga varianti Delta, ku pacientët kishin dhimbje të fytit, tek ata të infektuar me mutacionin e ri, simptoma e vetme është kruarja.
Ekspertët shëndetësorë në Kosovë kanë thënë se simptomat e gripit stinor dhe variantit Omicron janë të ngjashme, prandaj ata kanë kërkuar që diferencimi të bëhet përmes testeve laboratorike.
Ndërkaq, disa studime të kryera në botë kanë sugjeruar se varianti Omicron mund të jetë më i lehtë se Delta, i cili aktualisht është variant dominues në Kosovë.
Më herët gjatë dhjetorit, Kosova dërgoi mbi 70 mostra pozitive për analizim në një laborator në Gjermani për të parë nëse në to kishte prani të variantit Omicron.
Ky variant i ri i COVID-19 fillimisht u detektua në Afrikën e Jugut në muajin nëntor. Që atëherë është përhapur në mbi 90 shtete të botës./Reporteri.net/