Kurti përkujton aktivistët e vrarë në protestën e 10 shkurtit

Mon Balaj e Arben Xheladini, dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të vrarë në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, janë përkujtuar nga kryeministri i Kosovës, kryetari i Kuvendit, deputetë dhe familjarë të aktivistëve.

Në 15 vjetorin e rënies së tyre, kryeministri Albin Kurti ka thënë se atë ditë kanë protestuar duke kërkuar vetëvendosje për popullin por janë sulmuar nga policia e UNMIK-it, e cila kishte qëlluar mbi aktivistët.

Pasi ka vendosur lule mbi pllakën përkujtimore që mban emrin e dy aktivistëve të vrarë, Kurti në sheshin “Nënë Tereza”, ka folur për protestën e 10 shkurtit dhe kundërshtimin e pakos së Ahtisarit.

Kurti: Kur demokracia importohet ajo është ves dhe sëmundje

“Institucionet që na dërgonin paketa dhe polici dëmtonin konceptin e vet demokracisë sociale liberale. Ata talleshin me përfaqësuesit tanë por edhe këta përfaqësues tek luanin rolin e shëmtuar të shërbëtorit talleshin me popullin e tyre. Kur demokracia importohet ajo është ves dhe sëmundje, për të gjitha këto ishim të vetëdijshëm që kaherë. Kur paketa dhe policia vinë me plumba mbi popullin autokton nuk mbetët prej vlerave asgjë përveçse një peisazh i mjerë i kolonizuar antidemokratik. Ne thamë atë ditë se nuk do të lejonim asnjë pavarësi me cene, asnjë demokraci të përbindshme, ne nuk mund t’i lejonim vetës të humbim drejtimin qoftë edhe përballë një armatimi të tillë policor që fliste në gjuhë të huaja e që nuk dinte shqip”, ka thënë Kurti.

Kurti duke folur për protestën e vitit 2007, që ishte mbajtur në sheshin e Prishtinës, ka thënë se Mon Balaj e Arben Xheladini do të kujtohen përherë.

Kurti: Policët e UNMIK-ut qëlluan mbi trupat tanë pa asnjë ngurrim

“Ne thamë atëherë se drejtësia nuk jepet me copa, dhe ju drejtuam policëve tanë sepse ata ishin vendosur para policëve të UNMIK-ut të cilët më pas qëlluan mbi trupat tanë pa asnjë ngurrim sepse pas burrokratëve të ftohtë vinin policët e nxehtë dhe për të dy kategoritë ne ishim njerëz a të drejtë dhe pa qytet, ne ishim njerëz që nuk i mbron ligji por vetëm i dhunon policia e huaj”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti ka thënë se policia ishte e papërgjegjshme sa dhuna absurde dhe ka shtuar se aktivistët ishin të armatosur vetëm me vullnet dhe drejtësi.

Kurti: Kur drejtësia vjen nga jashtë ajo është polici

“Në këtë shesh baca Adem, Adem Demaçi, në atë dhjetë shkurt të vitit 2007 deklaroi ‘kjo është rruga jonë, rruga e Kosovës’. Po, kjo është rruga jonë, rruga e gjithë atyre që jetuan e ndërtuan dhe mbrojtjen Kosovën me gjakun, djersën, vitet, jetën, shpirtin dhe rininë e tyre…Ne thamë se drejtësia nuk vjen nga jashtë, se kur drejtësia vjen nga jashtë ajo është thjeshtë polici. Kërkuam vetëvendosje për popullin dhe kundërshtuam decentralizimin etnik dhe eksterritorialitetin fetar. Ne thamë se na duhej shteti ynë dhe policët në shërbim të popullit”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti, kryetari Kuvendit, Glauk Konjufca, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe familjarë të aktivistëve kanë vënë lule në pllakën përkujtimorë që mban emrin e Mon Balaj dhe Arben Xheladini.

Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje u vranë nga policia e UNMIK-ut në protestën e 10 shkurti të vitit 2007 e cila ishte organizuar për të kundërshtuar Pakon e Ahtisarit.