Jeton dhe Nexhat Vllasaliu janë deklaruar të pafajshëm për vrasjen e tani të ndjerit Bedri Rexhepi
Të njëjtit, një deklarim të tillë bënë të hënën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Armend Hamiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja, Medie Bytyqi njoftoi palët për të drejtën e tyre për kërkesën e hudhjes së aktakuzës dhe kundërshtim të provave në afat prej 30 ditësh.
Ndryshe, seanca fillestare për këtë rast e paraparë të mbahej më 25 tetor të këtij viti ishte shtyrë me kërkesë të mbrojtjes. Ata kishin kërkuar këtë shtyrje me arsyetimin se lënda është voluminoze dhe se nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.