Dorëhiqet nën presion denoncuesi i abuzimeve në “Infrakos”

Zymer Zekaj ka dhënë dorëheqje të martën nga pozita e Zyrtarit Kryesor Financiar në ndërmarrjen “Infrakos”, përgjegjëse për hekurudhat e Kosovës. Në shkresën që ia ka përcjellë ushtruesit të detyrës së kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, Uran Mula, Zekaj ka thënë se vendimin e ka marrë nën presion.

“Sot pas takimit të menaxhmentit, mu komunikua nga U.D. Kryeshefi z. Mulaj që është kërkesë e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve ta liroj pozitën e Zyrtarit Kryesor Financiar, apo në të kundërtën do të shkarkoheni”, ka shkruar Zekaj në letrën e dorëheqjes, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA. “Pas kërkesës dhe krijimit të kësaj situate, jam i shtyrë të jap dorëheqje nga pozita e ZKF-së, në të cilën pozitë kam shërbyer vite më radhë, e që kam kryer detyrat me përgjegjësi dhe rezultatet nuk kanë munguar”.

Anëtarët e Bordit të përkohshëm, të emëruar gjatë verës, kanë planifikuar që ta mbajnë një mbledhje të martën nga ora 15:00, e në të cilën ishte paraparë shkarkimi i Zekajt, në rast se ai nuk do të paraqiste dorëheqje paraprakisht. Burime të kohës thonë se në rend dite të mbledhjes së Bordit, është edhe shpallja e konkursit për kryeshef dhe zëvendëskryeshef të “Infrakosit”.

Për vite më radhë, Zekaj ka folur publikisht për KOHËN në lidhje me keqmenaxhimin dhe keqpërdorimet në “Infrakos”, ndërmarrje që ishte vënë edhe në prag falimentimi.

Në këtë mandat të Qeverisë Kurti, pas shkarkimit të ish-kryeshefit Agron Thaqi, Zekaj ishte emëruar ushtrues detyre i kryeshefit të “Infrakosit”. Prej atëherë janë ndërruar katër ushtrues detyre dhe ende nuk është zgjedhur i riu me mandat të plotë, e as bordi i ndërmarrjes nuk është funksionalizuar me përbërje me mandat të rregullt.

Zekaj në letrën e dorëheqjes ka theksuar se deri tash, vlerësimi për punën e tij ka qenë pozitiv.

“Për këtë angazhim gjithherë kam pasur vlerësim të lartë pozitiv, siç është edhe vlerësimi i fundit nga Bordi”, ka shkruar ai në letrën e dorëheqjes.

Disa dorëheqje janë dhënë në ndërmarrje muajt e fundit.

Në korrik Arjeta Fejza ka lënë pozitën e ushtrueses së detyrës së kryeshefes ekzekutive në “Infrakos”. Në një letër, të cilën e ka siguruar KOHA, drejtuar Bordit të drejtorëve dhe disa prej ministrave të Qeverisë, Fejza ka thënë se dorëhiqet për shkak të qasjes ndryshe nga Bordi i drejtorëve për sfidat që e presin ndërmarrjen.

Pak orë pasi ajo dha dorëheqje, një tjetër zyrtar ka refuzuar ta mbajë këtë pozitë. Pas largimit të Fejzës, ushtrues detyre është caktuar zëvendëskryeshefi Xhevat Ramosaj. Por, në bazë të korrespodencave të siguruara nga KOHA, edhe Ramosaj ka refuzuar ta mbajë këtë pozitë më gjatë sesa në fillim të javës që do të pasonte.