Ish-ministri i Brendshëm le fajtore ministrinë e Sveçlës për mungesë të materialit për dokumente

Pajisja me dokumente personale është telash me të cilin po ballafaqohen kosovarët.

Kryekëput përgjegjëse për këtë, ish-ministri i brendshëm, Ekrem Mustafa, e lë Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Problemi është pse ministria ka ndërprerë marrëveshjen duke mos llogaritur në sasinë e dokumenteve të prodhuara që ka pasë në Departamentin për Prodhimin e Dokumenteve Personale dhe mosplanifikimit të procedurave për tenderim sikurse dihet që këto procedura marrin kohë dhe mund të anulohen. Edhe afatet ligjore të ankesave ua pamundësojnë ritenderimin”, shprehet Mustafa për KlanKosova.tv.

“Faji pse MPB nuk ka dokumente personale për qytetarë është se ka qenë një planifikim i dështuar në kërkesën për prodhimin e dokumenteve personale. Ka qenë dashtë të porositet një sasi që do t’i plotësojë kërkesat e qytetarëve sepse Agjenconi i Regjistrit Civil e di saktë se sa qytetarëve iu skadojnë afatet edhe sipas vitit paraprak të merret mostra dhe të bëhet porosia pasi ka qenë e planifikuar ndërprerja e kontratës”.

Sipas Mustafës është dashur të porositet një sasi shtesë, ngase, siç nënvizon ai, nuk është planifikuar që të ndryshojë dizajni, as elementet e sigurisë.

Në anën tjetër, kur në pyetje është liberalizimi i vizave dhe dalja në Zonën Shengen, sipas ish-kreut të Punëve të Brendshme, ministria ka kohë mjaftueshëm që të jetë e gatshme për prodhim dokumentesh.

Kështu thonë edhe nga kjo ministri, ku kanë njoftuar se janë duke u bërë përpjekje maksimale që materiali i nevojshëm të sigurohet dhe qytetarët të furnizohen me to.

“Agjencioni për Regjistrimin Civil duke i menaxhuar me kujdes të shtuar sasitë në dispozicion. Kjo po bëhet përmes analizimit të rasteve të arsyetuara dhe dëshmuara me dokumentacion mbështetës duke i trajtuar si prioritet të lartë kategoritë shëndetësore, studentët, mërgatën dhe përfaqësimin shtetëror. Momentalisht po përballemi me mungesë të lëndës së parë të prodhimit të dokumenteve si shkak i invazionit të Rusisë ndaj Ukrainës, porse me këtë problem nuk po përballet vetëm Republika e Kosovës por të gjitha shtetet që janë furnizuar në linjën dhe vendin e njëjtë me lëndën bazë të prodhimit të dokumentit”, është thënë në njoftim.