Në katër komunat në veri të Kosovës, sot ka filluar nënshkrimi i kontratave ndërmjet shtetit të Serbisë dhe serbëve që kanë braktisur institucionet e Prishtinës.
Kështu ka njoftuar Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, përmes së cilës po bëhet lidhja e kontratave.
Në komunikatë nuk është shpjeguar se në cilat institucione serbe do të angazhohen por është thënë se pagesat do të dalin në llogaritë e punëtorëve në dhjetor.
Megjithatë, në komunikatë është thënë se këta punëtorë do t’i kenë nga shteti i Serbisë të gjitha të ardhurat që kanë marrë nga institucionet e Kosovës.
“Në këtë mënyrë po përmbushet premtimi i dhënë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qytetarëve tanë në Kosovë e Metohi, të cilët kanë dalë nga institucionet, se shteti do të kujdeset për secilin prej tyre dhe se askush nuk do të mbetet pa përkrahje të shtetit”, thuhet në komunikatë.
Institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë numrin e saktë të serbëve të dorëhequr por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se numri i tyre është rreth 3.500.
Sipas njoftimit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, me këto kontrata, serbët që kanë braktisur institucionet “do t’i rregullojnë të gjitha obligimet juridike nga marrëdhëniet e punës, ato pensionale, sigurimet shëndetësore etj…
Rikujtojmë se nga java e parë e nëntorit, qindra serbë të Kosovës janë dorëhequr nga institucionet e Kosovës përfshirë Policinë, Gjykatën, Prokurorinë si dhe institucionet lokale e qendrore.
Dorëheqjet erdhën si kundërshtim ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave serbe në veri të vendit, të cilat Kosova i konsideron të jashtëligjshme.
Që nga 21 nëntori, Qeveria e Kosovës pritet që të nis shqiptimin e gjobave për ata që ende nuk e kanë bërë këtë riregjistrim./REL/