“Është shtet i sanksionuar”, studenti kosovar në Suedi e njofton banka se s’mund t’i transferohen para nga Kosova

Një student nga Kosova, i cili po studion në Suedi, në rrjete sociale ka bërë të ditur se është duke u përballur me një problem.

Sipas tij nga Banka e Suedisë ka marrë njoftim se atij nuk mund ti transferohen para, pasi siç ka shkruar ai në arsyetimin e tyre thuhet se “Kosova është e sanksionuar nga qeveria suedeze si vend shumë i korruptuar dhe zonë lufte dhe ne nuk mund të transferojmë para nga Kosova”.

“Mund të shpjegoni pse Suedia e trajton Kosovën ashtu siç ishte Irani apo Rusia?!Unë u informova nga @Swedbank se Kosova është e sanksionuar nga qeveria suedeze si vend shumë i korruptuar dhe zonë lufte dhe ne nuk mund të transferojmë para nga Kosova”, shkruan Genci në Twitter.

Ai tutje ka thënë se sikur të mos mjaftonte regjimi i vizave, tani studentët kosovarë atje duhet të përballen me këtë problem.

Ai thotë se si student që jeton atje, burimi i të ardhurave të tij janë paratë nga familja në Kosovë.