Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në shqyrtimin e Projekt-Rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, ka thënë se Qeveria ka tendencë të mbulojë dështimet në sektorin e shëndetësisë.
“Tendenca për të mbuluar çdo dështim, për të ekzagjeruar çdo dështim, por edhe për të insistuar në diçka e cila ka qenë problematike në Kosovë dhe tash qe tri vite të udhëheqjes së kësaj qeverie, në kuptimin e plotë të mandateve si ministër i shëndetësisë, po shprehem në gjuhën popullore është ‘faqja e zezë’ me u mundu me mbulu atë që po ndodhë në këtë sektor”, ka theksuar Zemaj.
Sipas tij Qeveria Kurti s’ka vizion e as plan për sektorin e shëndetësisë.
“Nuk ka pasur asnjë lëvizje për krijimin e fondit për sigurime shëndetësore, njëjtë edhe për Sistemin Informativ Shëndetësor. Kosova po përballet me largim të profesionistëve shëndetësorë. 550 mjekë e kanë lëshuar Kosovën këto dy vite pa përfshirë ata qe kanë kaluar nga publiku ne privat. Është fakt i pamohueshëm që ka pasur keqmenaxhim e keqpërdorim në sektorin e shëndetësisë. Dhe është një adresë e prokurorisë ku duhet të adresohen”, ka deklaruar Zemaj.