Dhjetë deputetët e Listës Serbe që kanë dorëzuar dorëheqjet në Kuvendin e Kosovës më 7 nëntor, do të vazhdojnë të marrin pagat e tyre nga parlamenti edhe për një vit, por jo edhe rreth 600 zyrtarët policorë serbë që zhveshën uniformat e tyre blu në fillim të këtij muaj.
Paga bazë e deputetit është 1 mijë e 547 euro apo 18 mijë 564 euro në vit. Dhjetë deputetët e dorëhequr do marrin nga buxheti i Kuvendit, 185 mijë e 640 euro për një vit.
Po ashtu, edhe deputetët e rinj të këtij subjekti politik serb të cilët u betuan në seancën e të enjtes, do të marrin pagat e plota, pavarësisht politikave që i ndjekin në raport me prezencën e tyre në parlament.
Përkundër që këto benificione i përcakton Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, shoqëria civile po konsideron se me veprimet e fundit, Lista Serbe po e dëmton buxhetin e Kosovës me braktisjen e Kuvendit dhe me zëvendësimin e këtyre deputetëve nga ky subjekt politik.
Në Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, neni 16 thotë se “Deri në fillimin e realizimit të të hyrave financiare nga ndonjë burim tjetër, ose nga realizimi i pensionit, që nga dita e përfundimit të mandatit deputeti/ja ka të drejtë në pagë bazë për dymbëdhjetë muaj”, thuhet në nenin 16 të Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit.
Në anën tjetër as Kuvendi dhe as Ministria e Punëve të Brendshme nuk janë përgjigjur për pagesat e deputetëve të Listës serbe dhe për zyrtarë të tjerë serbë që braktisën institucionet në veri të vendit.
Koordinatorja në Lëvizjen Fol, Burbuqe Kastrati thotë për KosovaPress, se edhe kur japin dorëheqje deputetët, kompensimi bëhet për një 1 vit, derisa ata të rigjenerojnë të ardhura të tjera.
Kastrati thotë se edhe deputetët e rinj do të marrin pagën bazë edhe nëse nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit.
“Për deputetët e rinj të Listës Serbe nëse nuk dalin, nuk paraqiten në punë, vetëm mëditjet për ta nuk kompensohen. Ndërsa, në rastin e 10 deputetëve të Listës Serbe të dorëhequr nga Kuvendi, kompensimi parashihet të ndodhë për një vit, por që në atë moment kur ata deputetë kanë të ardhura të tjera, ky kompensim ndalet”, thotë Kastrati.
Koordinatorja Kastrati thotë se kompensimi i deputetëve të dorëhequr dhe të atyre që nuk vijojnë me rregull në punë në Kuvend, do të dëmtojë rëndë buxhetin e Kosovës.
“Për çdo rast që një deputet largohet (jep dorëheqje) prej Kuvendit në çfarë do rrethane, ky kompensim njëvjeçar dhe zëvendësimi i atyre deputetëve e dëmton jashtëzakonisht shumë buxhetin e Republikës së Kosovës”, thekson Kastrati.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Republikës së Kosovës, Imer Zeqiri thotë se përkundër që dorëheqjet e rreth 600 zyrtarëve policorë në veri kanë qenë politike, pagat e tyre ndalen menjëherë.
Sipas Zeqirit, për dorëheqjet vullnetare nuk ka paga nga Policia e Kosovës.
“Dorëheqjet e zyrtarëve policorë të nacionalitetit serb, kanë qenë dorëheqje të imponuara nga politika e Beogradit, mirëpo çdo dorëheqje në Policinë e Kosovës, ndërpritet paga, pra nuk merr pagë, kështu që për dorëheqjet vullnetare nuk ka paga nga Policia e Kosovës dhe automatikisht u ndërpriten pagat”, thekson Zeqiri.
Sa i përket rikthimit të tyre në punë, Zeqiri thekson se në bazë të udhëzimeve administrative, policët e dorëhequr nuk kanë të drejtë të kthehen në punë.
Meqenëse shumica policëve të nacionalitetit serbë nuk kanë dhënë dorëheqje me vullnetin e tyre, Zeqiri iu bën thirrje të gjithë atyre zyrtarëve të cilët kanë pasur me detyrim dorëheqjen që të deklarohen publikisht dhe t’i kthehen punës në polici.
“Rasti i policëve në veri është çështje politike, nuk e di se si do të zgjidhet me politikë, por realisht në momentin që jep dorëheqje një zyrtar policor dhe kalon 30 ditshin, nuk kanë të drejtë në bazë të udhëzimeve administrative nuk kanë të drejtë të kthehen… Te shumica e këtyre rasteve kanë qenë të imponuara nga politika e Beogradit dhe e di që shumica e kolegëve tanë të nacionalitetit serbë nuk kanë qenë të interesuar apo nuk kanë dhënë dorëheqje me vullnetin e tyre, por i është imponuar ose me detyrim. Unë i thërras të gjithë ata zyrtarë të cilët kanë pasur me detyrim dorëheqjen që të deklarohen publikisht dhe t’i kthehen punës”, thotë ai.
Dhjetë deputetët e Listës Serbe, më 7 nëntor kishin dorëzuar dorëheqjet në Kuvendin e Kosovës. Kjo pasi në një mbledhje në komunë të Zveçanit, më 5 nëntor, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal, policor, si dhe nga gjyqësori./