Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin tre të miturve, të dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares në gusht të këtij viti në Prishtinë. Ndërsa, dy të rriturit E.R., dhe SH.K., ndodhën nën masësn e paraburgimit deri me 28 nëntor.
Këto informacione i ka konfirmuar për Gazetën Express, Mirlinda Gashi – zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se lidhur me këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur me datë 22 nëntor 2022 ka pranuar kërkesën nga Prokuroria e Shtetit për vazhdimin e paraburgimit ndaj tre të miturve. Me të njëjtën datë, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka marr aktvendim që tre të miturve të ju vazhdohet paraburgimi edhe për nga 60 ditë, për secilin”, tha Gashi për Express.
Ndërsa, dy të rriturve pritet t’u skadojë paraburgimi me datën 28 të këtij muaji dhe gjykata akoma nuk ka pranuar nga prokuroria kërkesë për vazhdim të paraburgimit.
“Ndërsa të pandehurit E.R dhe Sh.K gjenden nën masën e paraburgimit deri me datë 28.11.2022, të vazhduar sipas aktvendimit të fundit nga gjykata dhe deri më tani gjykata nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e masës së paraburgimit”, përfundoi Gashi për Gazetën Express.
Në një përgjigje për Express, të mërkurën prokuroria ka konfirmuar se ndaj të dyshuarve do të kërkojë vazhdimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.
Vajza 11-vjeçe dyshohet se ishte dhunuar për rreth shtatë orë më 27 gusht të vitit 2022. Ngjarja që tronditi Kosovën kishte nisur në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur.
Për këtë rast kishte dhënë dorëheqje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti. Dorëheqje kishte dhënë edhe Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi.
Disa ditë më vonë, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte njoftuar për ndalimin e disa personave tjerë nën dyshimin se 11-vjeçarja ishte trafikuar edhe në muajin qershor të këtij viti.
Për rastin e dhunimit dhe trafikimit të 11-vjeçares janë në paraburgim 13 persona, në dy raste të ndara. /Express