Moti për pesë ditë: Të dielën reshje bore

Reshje kalimtare shiu të enjten paradite. Të premten intervale me diell. Reshjet e borës zbresin në pjesë të ulëta ditën e diel.

23.11.2022 – Reshje të dobëta shiu pritet të kalojnë mbi vend sonte gjatë natës dhe paraditen e së enjtes. Gjatë ditës edhe vranësirat pritet të shpërndahen, ndërkohë që të premten do të ketë më shumë intervale me diell.

Nga dita e shtunë sërish vranësirat shtohen mbi rajon, derisa të dielën priten edhe të reshura shiu, që me rënie të temperaturës përzien apo edhe shndërrohen në reshje të dobëta bore, të cilat vazhdojnë edhe të hënën herët në mëngjes.

Moti më i qetë në ditët e ardhshme rikthen koncentrimet e larta të ndotësve ajror pranë sipërfaqes, e në këto kushte edhe indeksi kalon në vlera të dobëta, kryesisht orëve të mbrëmjes, derisa gjatë ditës në disa stacione indeksi edhe mund të mbetet në vlera të mira dhe pranueshme.

24.11 – Reshje kalimtare shiu orëve të mëngjesit. Gjatë ditës vranësirat shpërndahen, e do të ketë edhe intervale me diell. Zonave malore priten edhe reshje bore.

25.11 – Vranësira lokale dhe intervale më të gjata me diell. Nuk përjashtohen mundësi për riga lokale shiu.

26.11 – Mjegull e ngrica në mëngjes. Ditën kryesisht vranët, por pa të reshura.

27.11 – Kryesisht vranët e me reshje të dobëta shiu, që me rënie të temperaturës shndërrohen edhe në reshje bore.

28.11 – Reshjet e përziera të shiut e borës vazhdojnë të hënën në mëngjes, e gjatë ditës mbetet mot kryesisht i vranët.

Temperaturat minimale zbresin edhe në vlera negative të shtunën në -1C, e ato maksimale fillimisht kapin vlera prej 8C e 9C, ndërsa të dielën zbresin në 3C e 4C.

Era frynë e lehtë dhe mesatare nga krahu verior 3-9m/s.

Shtypja atmosferike shënon rritje të shpejtë lartë mbi vlera normale ditëve vijuese.