Pranojnë telefonata të shumta gjatë gjithë ditës.
Me të pranuar thirrjen në Qendrën e Mjekësisë Urgjente, ekipet mjekësore me shpejtësi nisen për në vendin e ngjarjes për t’iu ofruar ndihmë pacientëve në raste urgjente.
Për shkak të tollovive në qytet, ambulancat shpeshherë kanë vështirësi në intervenim.
Për të evituar kolonat dhe që shërbimi të jetë sa më efikas për pacientët, Komuna e Prishtinës ka nisur zbatimin e projektit për menaxhimin e autoambulancave që do të bëhet direkt nga Qendra e Mjekësisë Urgjente.
Përmes GPS-ve të vendosur, qendra ku pranohen thirrjet, do të ketë mundësi t’i përcjellin autoambulancat që janë në intervenim.
Rrugët e ngarkuara në këtë sistem shënohen me ngjyrë të kuqe, me ç’rast qendra mund t’ua komunikojë ekipeve evitimin e tyre dhe kalimin nëpër rrugët me më pak kolonë.
Sipas drejtorit për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, sistemi i menaxhimit të ambulancave përmes GPS-ve, do të ndikojë që të ofrohet shërbim më i shpejtë dhe më efikas për pacientin duke përdorur sisteme të avancuara GPS dhe të navigimit dhe në të njëjtën kohë mundësohet që të evitohen rrugët e ngarkuara me trafik të rënduar.
Donacioni i cili do të jetë vetëm për 1 vit, do të ndikojë që komuna të ketë kohë, që të sigurojë këto pajisje për kohë afatgjate.
Drejtori i QMU-së, Avdyl Pacolli, thotë se me fillimin e implementimit të këtij projekti, koha e arritjes në destinacionin e caktuar është shkurtuar për 50 për qind.
Qendra e Mjekësisë Urgjente ka 18 autoambulanca, nga 1 të shpërndara edhe në 3 pikat e tjera në Qendrën e Mjekësisë Familjare, në QMF në ‘Mahallën e Muahxherëve” dhe një në QMF-në në “Xhemajl Ibish, ku ekipet e urgjencës janë 24 orë.