Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se propozimi i BE-së me mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe ShBA-ve, nuk është merre ose leje.
Gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës, ai tha se dokumentin e ka konsideruar bazë të mirë për të diskutuar mbi të, dhe se nuk i ka pëlqyer gjithçka aty.
“Propozimi i BE-së me mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe ShBA-së nuk është merre ose leje, e kam konsideruar bazë të mirë për të diskutuar mbi të, por nuk është merre ose leje. Nuk më pëlqen mua gjithçka aty, ka shumëçka që duhet të diskutohet, ama ajo që nuk e kam pranuar asnjëherë gjatë këtij procesi me Serbinë është që nga 33 marrëveshjet e kaluara në Bruksel gjatë asaj dekade ta përzgjedhin si një tryezë suedeze pikërisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Dhe në anën tjetër nga çfarëdo propozimi që bëhet në të ardhmen asgjë tjetër nuk ka rëndësi si Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ky lloj përzgjedhje e dyfishtë nuk është e pranueshme nga ana ime”, tha shefi i Qeverisë, njofton Klankosova.tv.