I dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK të mërkurën mbrëma, është ende në arrati, ka konfirmuar për KOHËN prokurori i rastit, Ilaz Beqiri.
Rasti tragjik tronditi opinionin ditën e djeshme. Shtatzëna 35-vjeçare dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, me të cilin ka qenë në proces të ndarjes.
Ajo ka qenë e shtrirë në këtë Klinikë, në pritje për të lindur.
Sipas burimeve të KOHËS, ajo ka dalë nga Klinika për të blerë diçka dhe derisa po qëndronte ulur para objektit të Gjinekologjisë, është qëlluar me armë zjarri nga i dyshuari.
Trupi i pajetë i viktimës ka qëndruar për rreth dy orë në vendin e ngjarjes, ku Prokuroria ka gjetur tri gëzhoja të plumbave.
Beqiri ka thënë se për të dyshuarin ka disa raste të paraqitura në organet e hetuesisë për dhunë në familje.
Shtatzëna e vrarë ka pasur urdhër-mbrojtje nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Sipas Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, urdhër – mbrojtja është urdhri i lëshuar me vendim gjykate, ku parashikohen masat mbrojtëse për viktimën. Urdhri ia ndalon të dyshuarit t’i afrohet viktimës.
Ndërkohë bazuar në Ligjin për mbikëqyrjen elektronike, të dyshuarit për vrasjen e gruas shtatzënë, do të mund t’i vendosjes pajisja për mbikëqyrje elektronike.
Ligji përcakton që pajisja për mbikëqyrjen elektronike në rastet e urdhër-mbrojtjes, personit mund t’i vendoset edhe pa pëlqimin e tij. Por ky Ligj nuk është zbatuar.
Nëpërmjet kësaj pajisje, sipas Ligjit që ka hyrë në fuqi në vitit 2015, Policia, do të mund të përcillte vendndodhjen e personit të cilit i vendoset ajo.
Sipas Ligjit, Policia e Kosovës, është organ përgjegjës për të kontrolluar mënyrën e realizimit të Mbikëqyrjes Elektronike.
Policia është duke e hetuar rastin. “Aktualisht Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Ka pasur reagime të shumta nga spektri politik, ndërsa është paralajmëruar një protestë për sot në orën 16:00.