Kurti priti në takim përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar

Synimi i Qeverisë së Kosovës është të ofroj mundësi të barabarta për të gjithë, si parakusht për dinjitetin njerëzor dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri, tha Kurti, në takimin me përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, organizatë ombrellë e organizatave të personave me aftësi të kufizuar.


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë për mbrojtjen dhe jetësimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi, e në veçanti respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.


Përfaqësuesit e organizatave u shprehën mirënjohës për bashkëpunimin me institucionet dhe angazhimin e Kryeministrit Kurti për ngritje të mirëqenies për personat me aftësi të kufizuar.


Duke biseduar për veprimet e ndërmarra nga Qeveria gjatë vitit 2022 si Vit i Personave me Aftësi të Kufizuar, u veçua Masa 1.6. – Mbështetja e punësimit të personave me nevoja të veçanta, krijimi i Sintezës Vokale në Gjuhën Shqipe, qasja në dokumente në shkrimin Braille brenda Zyrës së Kryeministrit për personat e verbër, mbështetja e dhënë për programet trajnuese për sportistë për Komitetin Paralimpik të Kosovës si dhe Federatën e Sportit për të Verbër.


Për përmirësimin e edukimit për fëmijët, u veçua punësimi i rreth 100 asistentëve në shkolla në të gjithë vendin për fëmijët me nevoja të veçanta gjatë këtij viti, si dhe ndarja e buxhetit nga Qeveria për vitin 2023 për 500 fëmijë me nevoja të veçanta.


U theksua angazhimi për infrastrukturë ligjore të përshtatshme, duke veçuar inicimin e procesit të amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, puna në hartimin e Projektligjit për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar, si dhe Udhëzimi Administrativ i miratuar nga Qeveria për caktimin e Listës, Llojeve dhe Pajisjeve Ndihmesë që ofrohen falas për Personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, që shërbejnë për Lëvizje, Parandalim dhe Asistim.


Vazhdimi i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe organizatave, për rritjen e mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara u ritheksua në këtë takim të përbashkët me Kryetarin e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu, Drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve, Enver Kurtalani dhe Drejtoreshën Ekzekutive të Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini Beqiri.