Hill: Kosova duhet t’i përmbushë të gjitha obligimet nëse do anëtarësim

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë shumë diskutime dhe se në një formë ai lidhet me Aneksin e Ohrit. 

Hill ka theksuar se Kosova duhet t’i përmbushë të gjitha obligimet nën Marrëveshjen e Brukselit. 

“Aneksi i Ohrit vendos disa detyrime e kërkesa për të dyja palët, kështu që do të shohim si shkon, është e qartë se ata (Kosova) duan që të anëtarësohen në BE, por duhet ta kalojnë të gjithë procesin. Pozicioni i Qeverisë sime është që Kosova duhet të përmbushë obligimet e veta me Marrëveshjen e Brukselit dhe nëse nuk i përmbushë, sigurisht se e komplikon interesin e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe organizatat e tjera”, ka thënë ai për gazetën serbe “Blic”. 

Ndërsa, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe Hill është shprehur i sigurt se do të ndodhë. Sipas tij, themelimi i tij “është zgjidhje për të gjithë”. 

“Asociacioni do të ndihmojë në tejkalimin e problemeve aktuale dhe vështirësive që komuniteti serb në Kosovë ka. Asociacioni është i nevojshëm për të ardhmen e Serbinë, dhe mendoj për të ardhmen e Kosovës, kështu që besoj se do të ndodhë”, ka potencuar Hill.